Pas atentatit të rëndë të 11 nëntorit, pranë aeroportit të Rinasit, ku u ekzekutua Gilmando Dani, policia ka intensifikuar kontrollet në zonat përreth dhe ka zbuluar një arsenal të konsiderueshëm armësh dhe minash në Nikël. Në lidhje me këtë rast, autoritetet kanë shpallur në kërkim një person të identifikuar si të dyshuar për posedim armësh.

Sipas burimeve policore, dyshohet se armët e gjetura janë përdorur ose kanë qenë planifikuar të përdoren nga grupime kriminale aktive në Fushë-Krujë dhe në zonat përreth. Hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse ky arsenal ka lidhje të drejtpërdrejtë me ekzekutimin e Danit.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 11 nëntorit, afër aeroportit të Rinasit, kur një breshëri plumbash goditi automjetin me të cilin udhëtonin Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani (i njohur si Sheqeri). Dani, i konsideruar krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, mbeti i vrarë, ndërsa Shaljani, punonjës i AMP-së, u plagos.

Të dy po udhëtonin me një automjet Benz të bardhë, në pronësi të Elvis Kosovës, kur autorët i zunë në pritë dhe hapën zjarr nga një automjet tjetër. Dani kishte mbërritur pak minuta më parë nga Barcelona dhe sapo ishte futur në mjetin që do ta transportonte.

Autorët, sipas dyshimeve, u larguan drejt Fushë-Krujës me një Toyota Yaris me targa greke. Pak minuta më pas, automjeti i përdorur në krim u gjet i djegur në fshatin Halil.

Policia po vazhdon operacionet në terren, duke u fokusuar në identifikimin e bashkëpunëtorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *