Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar këtë të premte kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, lidhur me hetimet për dosjen SASPAC.
Avokatët e ish-ministrit të Shëndetësisë e referuan kërkesën e tyre, të mbështetur në pretendimin se Ilir Beqaj nuk mund të largohet jashtë vendit apo të ndikojë në hetim.
Pretendimet e avokatëve u hodhën poshtë nga GJKKO-ja, duke e lënë sërish ish-ministrin në qeli.
Ilir Beqaj kërkoi, me anë të rekursit, ndryshimin e masës së sigurisë edhe nga Gjykata e Lartë, e cila dy ditë më parë e refuzoi kërkesën e tij.
Ilir Beqaj akuzohet për abuzim me fondet në kohën kur drejtonte SASPAC, ndërsa “Nisma Thurje” ka dorëzuar që në vitin 2019 një padi ndaj tij, ku e akuzon për korrupsion dhe shpërdorim detyre në çështjen e sterilizimit, e cila vijon të hetohet nga SPAK-u.