Shqipëria, me financimet buxhetore më të ulëta për bujqësinë në Rajon dhe BE

Kompanitë eksportuese fason të prodhimit të këpucëve, të veshjeve të brendshme dhe fashion kanë nisur shkurtimin e vendeve të punës sipas Kryetarit të shoqatës së ProEksport Albania Edvin Prençe.

Shkurtimet e vendeve të punës në sektorin fason llogariten, sipas tij, 30 deri në 50 punonjës në ditë. Zonat më të prekura janë Kruja, Fushë-Kruja, Laçi, Lezha e Shkodra.

Edvin Prençe tha se në tërësi, sektori nuk është më në vështirësi për gjetjen e punonjësve, por në pamundësi financiare për mbajtjen e tyre nga rritja e kostove. 

“Aktualisht situata ka precipituar për keq. Shumë biznese nuk kanë mungesë të theksuar likuiditeti dhe nuk arrijnë të paguajnë detyrimet që lindin nga aktiviteti i tyre.

Po bëhen shkurtime vende pune. Kursi i këmbimit, rritja e kostove dhe humbja e konkurrueshmërisë kanë sjelle edhe rënie të porosive nga jashtë.

Ekonomia dhe sidomos sektori ynë janë shumë dinamike dhe si e tillë, në rast se në muajt qershor-korrik flisnim për mungesë të fuqisë punëtore, sot flasim për të ruajtur këto vende pune që janë”.

Rënia e porosive deri në 50% fillimisht nisi nga muaji qershor për sektorin e këpucëve, për shkak të magazinimit të mallit të pashitur nga mbajtja e dimrit të butë.

Edvin Prençe, nga ProEksport Albania, thekson se kjo industri aktualisht është pothuajse i mbyllur në shpresë të urdhrave të rinj dhe gjetjes së klientëve të tjerë. Rënie porosish ka edhe te sektori i prodhimit të veshjeve intimo dhe të punës. 

“Nga korriku, veshjet intime kanë filluar problemet me ulje të porosive dhe në zonën e Shkodrës (ku bashkëpunon firma më e madhe ndërkombëtare) po largon prodhimin drejt vendeve të tjera, pasi tek ne janë rritur kostot.

Veshjet fashion dhe të punës kanë një ngadalësim po ashtu por jo ne trendin e të mësipërmeve për porositë, por prapë ka rëne sasitë porositëse për prodhim”.

Sektori gjendet në vështirësi të lartë nga rënia e euros, që ul të ardhurat e eksportuesve kur konvertohen në monedhën e huaj. Sipas të dhënave të INSTAT eksportet e grupit “Tekstile dhe këpucë” me bazë vjetore ranë vetëm për muajin gusht 2023 rreth 18,6%.

Faktorë të tjerë që kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës së sektorit janë edhe rritja e kostos nga shtimi i pagës minimale dhe kostoja për marrjen e punonjësve të huaj.

“Sektori nuk arrin të rinovojë impiantet prodhuese, të certifikohen,  të trajnojë personelin me teknologjitë e reja, mungon promovimi i sektorit në panairet ndërkombëtare dhe jemi aty ku meritojmë.  Pa asnjë ndërhyrje apo alokimin e strategjive shtetërore do të mbijetojë kush të mundet”, thotë Prençe.

Sipas INSTAT, gjatë 9-mujorit 2023, të ardhurat nga eksportet e tekstileve shënuan rritje vjetore me 2,3%, ose 11,6 milionë euro në vlerë, teksa eksportuesit e këpucëve u përballën me rënie vjetore të shitjeve me rreth 45 milionë euro ose 10%.

Pas një fillim viti relativisht të mbarë, rënia nisi në prill. Ndonëse sektori u rikuperua në maj, iu rikthye sërish rënies në qershor-shtator, ku tkurrja më e thellë ishte në shtator.

Ecurinë më negative e ka pasur sektori i prodhimit të këpucëve, me një rënie të eksporteve prej gati 10% për 9 mujorin, pasi është prekur nga rënia e kërkesës në Europë për shkak të inflacionit të lartë dhe motit të ngrohtë. Tekstilet janë rritur lehtë me 2.3% për të njëjtën periudhë.

Krahas rënies së kërkesës nga partnerët europianë, sektori po përballet me rritjen e kostos, si rrjedhojë e pagave më të larta dhe nënçmimit të euros që ul të ardhurat në lekë të eksportuesve. Euro po këmbehet aktualisht me 106 lekë, nga 118 lekë që ishte mesatarja e 2022-it.

Burimi: Monitor.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *