Kryebashkiaku i Tiranës kishte kërkuar heqjen e masës së sekuestrimit të telefonit të tij celular, kërkesë e cila u hodh poshtë nga gjyqtari Engert Pëllumbi në Apelin e Gjykatës së Posaçme.
Një ditë më parë, po kjo hallkë vendosi të mos ndryshojë masën e sigurisë për Erion Veliaj, i cili kishte kërkuar lirimin nga qelia.
Njoftimi i Gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 24.04.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 107, datë 18.04.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesit E.V., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 132 akti, datë 04.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për kundërshtimin e vendimit të prokurorit për vlerësimin e sekuestros”, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit 132 Akti, datë 04.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.
Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, është lënë në masë sigurimi “detyrim paraqitje”.
Sipas SPAK, nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj dhe bashkëshortja e tij, është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.