Nga Lutfi Dervishi

Ngjarja më e madhe e 500 viteve të fundit, ndodhi sot. Shqipëria zyrtarisht ka njoftuar se në tokën e saj, më saktë në nëntokën e saj, ka ar të zi.

Ndërkohë që ka nisur festa e madhe me komente dhe like në facebook e instagram një çështje e parëndësishme ka mbetur pa u sqaruar: çfarë do të bëjmë me qindra milionë dollarët e naftës? Po sikur paratë që do të fitojmë e tejkalojnë GDP-në e vendit?
Nuk ka arsye për t’u shqetësuar. Ashtu sikundër e bëri të qartë qeveria, që tani po punohet për Fondin Sovran që do të kujdeset për milionat. Mendjet më të mençura dhe të sprovuara në menaxhimin e fondeve publike kanë gati planin se si do të shpenzohen paratë. Dhe këtu vjen befasia.

Ndërkohë që shumëkush mund të mendojë se do të investihet në infrastrukturën rrugore, shëndetësi, arsim, mbrojtje, zgjidhja në të vërtetë vjen duke menduar “out of the box”.

Shqipëria e ka një traditë të pasur se si i shpenzon paratë kur “bie në para”. Të mos harrojmë 97, kur yjet e futbollit argjentinas zbritën në Lushnjë. Më 97 me ato para që na u ndodhën, morëm Kempesin. Më 2023 mund të marrim Mesin, Ronaldon, Mbappen, Haland and co.

Imagjino pak prestigjin që arrin vendi. Harrojeni naftën, monedha e ardhshme do të jetë prestigji. Prestigji do të ngjitet aq lart sa Shqipëria jo vetëm që do të shkojë në hënë, por do të ketë satelitët e vet e nuk do ketë më nevojë t’i marrë me qira.

Gjithmonë do të ketë krizerë dhe ziliqarë. Por çfarë te duhen spitalet dhe shkollat kur ke mundësi të shkosh në stadiume dhe të shlodhesh duke parë yjet në tokë dhe yjet në qiell?

Beteja sot nuk është kush pompon më shumë naftë, por kush ka imagjinatë më të zhvilluar.

Dhe nuk kursehet paraja kur është fjala për prestigj! Njeriu për një prestigj rron.

Edhe nëse nuk del nafta që pritet, të paktën gjysma e punës është bërë: Lajmi është dhënë, (disa herë) festa ka nisur, (disa herë), idetë nuk mungojnë, investitorët strategjikë janë në gadishmëri. A nuk janë këto arsye të mjafta për të festuar?! Dhe ata që kanë ndermend të protestojnë e kanë të gatshme parrullën: dua naftën time!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *