Prej nëntë muajsh Serbia po përballet me protesta dhe bllokada të udhëhequra kryesisht nga studentë. Ata kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona pas shembjes së një strehimi në stacionin hekurudhor, si dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Presidenti Aleksandër Vuçiq, në një intervistë për Euronews Serbia, përsëriti thirrjen e tij për dialog me protestuesit, duke theksuar se është i gatshëm të përballet në një debat të hapur televiziv.

“Kam ofruar disa herë një debat publik, sepse besoj se dialogu nuk ka alternativë. Oferta ime mbetet e hapur, derisa ata të vendosin ta pranojnë,” tha Vuçiç.

Megjithatë, studentët e kanë refuzuar ftesën, duke deklaruar se do të bisedojnë me presidentin vetëm pasi të shpallen zgjedhjet dhe të përmbushen kërkesat e tyre.

Vuçiq kujtoi se gjatë gjashtë muajve të fundit ka propozuar disa herë mbajtjen e zgjedhjeve, madje edhe një referendum për mandatin e tij, por të gjitha ofertat, sipas tij, janë hedhur poshtë. “Nuk mund të ketë zgjedhje çdo ditë. Ne kemi shumë punë përpara,” tha ai, duke shtuar se mandati i tij do të zgjasë edhe një vit e gjysmë, derisa vendi të zgjedhë presidentin e ri.

Tragjedia në Novi Sad ka nxitur dyshime për korrupsion dhe për punime ndërtimore të dobëta, çka e ka shndërruar temën e korrupsionit në qendër të protestave.

Në intervistë, Vuçiq përsëriti gjithashtu angazhimin e tij për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. “Për aq kohë sa të jem udhëheqës shtetëror, Serbia do të ndjekë rrugën evropiane, e vendosur për të kryer reformat e nevojshme,” theksoi ai.

Sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, ai tha se ka marrëdhënie korrekte me presidentin rus Vladimir Putin dhe se ky i fundit është i gatshëm për paqe në Ukrainë. Vuçiq shprehu gatishmërinë që Beogradi të shërbejë si vendtakim mes Putinit dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, nëse palët bien dakord.

Serbia, ndonëse kandidate për anëtarësim në BE, vazhdon të mbajë lidhje të ngushta me Moskën, për të cilat është kritikuar shpesh nga Perëndimi.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *