Prefektura Niigata pritet të miratojë të martën rifillimin e punës së centralit bërthamor Kashiwazaki-Kariwa, më i madhi në botë, në një vendim që shënon një moment historik në rikthimin gradual të Japonisë te energjia bërthamore, pas katastrofës së Fukushimës në vitin 2011.
Centrali, i ndodhur rreth 220 kilometra në veriperëndim të Tokios, u mbyll së bashku me dhjetëra reaktorë të tjerë pas tërmetit dhe cunamit shkatërrues, që shkaktuan aksidentin më të rëndë bërthamor që nga Çernobili. Që prej asaj kohe, Japonia ka rifilluar funksionimin e 14 nga 33 reaktorët që konsiderohen ende teknikisht të përdorshëm.
Rihapja e Kashiwazaki-Kariwa do të ishte e para nën administrimin e Tokyo Electric Power Company (TEPCO), kompania që operonte edhe centralin e Fukushimës, çka ka nxitur shqetësime të forta në komunitetin lokal. Edhe pse TEPCO ka njoftuar forcimin e masave të sigurisë dhe është angazhuar të investojë rreth 641 milionë dollarë në prefekturën Niigata gjatë dhjetë viteve të ardhshme, opinioni publik mbetet i ndarë.
Sipas një ankete të zhvilluar nga autoritetet vendore në muajin tetor, rreth 60% e banorëve mendojnë se kushtet për një rinisje të sigurt nuk janë ende përmbushur, ndërsa afro 70% shprehin mungesë besimi ndaj TEPCO-s.
Megjithatë, qeveria e kryeministres Sanae Takaichi e mbështet hapur këtë vendim, duke theksuar nevojën për rritjen e sigurisë energjetike, kostot e larta të importeve të gazit natyror të lëngshëm dhe qymyrit, si edhe shtimin e kërkesës për energji elektrike nga qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale. Në këtë kontekst, Japonia ka vendosur si objektiv të dyfishojë peshën e energjisë bërthamore në përzierjen energjetike, duke synuar që ajo të arrijë në 20% deri në vitin 2040, pavarësisht kundërshtive dhe debatit të vazhdueshëm shoqëror.

