Nga Mehmet Elezi

Shenimet e Zonjës Durham flasin vetëm për ndodhinë me qingjin, edhe atë e përmendin rrëshqitazi.  Se ç’ngjau më pas, nuk thonë gjë, por falë gjurmës së një prifti, që më pati dalë në shteg rastësisht në vitin 1967, mund të zbardhet diçka. 

Në 1967-ën, kur u dha urdhri me rrënue kisha e xhami, sa kisha mbushur gjashtëmbëdhjetë vjet dhe kisha filluar punë si mësues në katundin e thellë Sh. Gjatë shkatërrimit të kishës së vjetër, nxënësit gjejnë në mur një fletore të nxirë, shumica e fletëve ngjitur me njëra-tjetrën. Ishte një ditar i priftit. Fletët e kapura – nëpër mur kish lotuar ndonjë pikë uji – kishin marrë ngjyrë dheu në ndryshk. Bëra sikur fletorja qe diçka pa vlerë dhe e fsheha. 

Nga tre-katër rreshtat e zonjës Durham dhe nga shenimet e priftit del se Mehmet Shpendi është nisur pas mesnate me kalue Shkallën e Gjelit të Egër. Bashkë me të shoqen. Majat mbi Shkallën e Gjelit të Egër varin në qafë një hënë të hollë e të gjelbër, si halë pishe. Drita e saj i shndërron majat në fildish. Shkalla e Gjelit të Egër është në terr. Atje nuk depërton rrezja e hënës, nuk rigon pjalmi qumështor i yjeve. Shkalla e Gjelit të Egër është vendi, ku udhëza e hollë trupon një shurlë të vështirë, nga njëri breg në tjetrin. Shurlat janë lugje fort të ngushta, që zbresin pingul shpateve të bjeshkës, nga majat rrokë me qiellin deri poshtë në luginë. Sipas motit, nëpër shurla derdhen ujëra të harbuara, rrungaja prej bore e gurë. Verës janë të thata.

Mehmet Shpendi është në luftë, serbët rreken me e rrethue. Vend më i përshtatshëm për pritë se Shkalla e Gjelit të Egër nuk mund të gjindet në atë rreth bjeshke.  Nusja e trimit është me fëmijë në gji. Foshnjën nuk mund ta marrim me vete këtë natë, i ka thënë i shoqi. Një e qarë dhe na hetojnë ku jemi, a luftohet me djep në duar?  E lënë foshnjen te një bijë e gjakut të vet. Kapen shtegut, si ftuja të egra. Shtegut te Shkalla e Gjelit të Egër. Aty u merren mendtë edhe zogjve e fluturave. 

Atje poshtë, në fund të shurlës, avullon një dritë e rralluar, në trajtë pluhuri të lëbardhëm. Ndriçon bora e paluar nëpër dimra, kur rrungajat rrëzohen me shungullimë.  Nata është pa gojë. Shkalla e Gjelit të Egër, mes shurlës që zbret ngul pjetposhtë, është pa sy. Por pa veshë nuk është nata. Prej fundit të shurlës, ku përndrit e përhënur bora, çohet një blegërimëz e brishtë, si fije bari. A mos na bënë veshët?

– Qingj!, thotë ajo. 

Do të jetë rrëzuar. Po jep shpirt në ndonjë plasë bore! 

Blegërima e dytë vjen më e mekur.  Blegërimë është a e qarë fëmije, që po shuhet?

Mehmet Shpendi lëshohet nëpër të çarën e malit. Thikë tëposhtë nëpër shurlë. Gruaja pret me zemër të dridhur. Natë e thellë, gjithkund mund të fshihet vdekja. Ajo bën kryq, ruaje Zot!  

Sa kohë kalon? 

Hëna halë pishe ngulur mbas një thepi. Vrojton.

Qe, Mehmet Shpendi po ngjitet.  Me një shall të bardhë në qafë. Një qingj i vocërr, shall i bardhë në qafë të burrit. Thuajse i ngrirë.  Një këmbë e thyer. S’ka më fuqi as me blegërue. 

Gruaja e fsheh qingjëzën në parzëm. Ia puth syrin. Ia mbulon kryet me gushën e vet. Kërkon sytë e të shoqit nëpër terr. Atë po mendoj edhe unë, thonë sytë e të shoqit nëpër terr. Nusja zbulon cicën e bardhë. Ia shti në gojë thithkën qingjëzës. Qingjëza e ndien jetën që rrjedh nëpër qumështin e ngrohtë, tund bishtin e shkurtë dhe lëshon një mee! të mekur kënaqësie.  Gruaja i jep gjirin tjetër.  Një blegërimëz mirënjohjeje prapë. 

Pastaj? 

Pastaj përballë, në bregun tjetër të Shkallës së Gjelit të Egër, dëgjohet nata. Nata thotë diçka. Flet në një gjuhë të huaj, të paftuar. 

Në faqet vijuese të fletores së priftit boja është shpërhapur e ndryshkur, e ka prekur pika e ujit apo ka qenë gjak? Shkrimi aty është i palexueshëm. Mbase një laborator i specializuar mund të nxjerrë ç’ka qenë shkruar aty, siç nxjerrin postimet e fshira në feisbuk e në uotsap. Ç’ndodhi në sekondat e minutat që pasuan, si ia dolën me e ça pritën burrë e grua, pati të vrarë, të varruar? 

Në kronikat e kohës është zbrazëtirë, deri ditën kur në breg të lumit skaj katundit Sh. regjistrohet një ngjarje e padëgjuar. Mehmet Shpendi me trimat e vet kapin rob një repart ushtarësh serbë, ua marrin armët, i vendosin pushkët e tyre varg majë më majë, krijojnë një hark triumfi me to. Ushtarët e armikut detyrohen me kalue përnën këtë hark triumfi, duke u hequr zvarrë me gjunjë e me mjekra. Duart lidhur mbrapa shpine.

Hollësitë e asaj nate te Shkalla e Gjelit të Egër do t’jua bëj me dije, sapo të marr përgjigje nga laboratori i specializuar, që jua përmenda.

By Editor