Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, paralajmëroi se vendi i tij është i gatshëm të mbrojë sovranitetin dhe sigurinë kombëtare kundër çdo ndërhyrjeje të huaj, pas komenteve të Donald Trumpit, i cili u bëri thirrje civilëve të “vazhdojnë të protestojnë”.
Araqchi ka bërë publike bisedat e fundit telefonike me zyrtarë dhe ministra nga Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Franca, duke nënvizuar se trazirat në Iran janë të monitoruara dhe qetësia mbizotëron në vend.
Në telefonatën me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Araqchi theksoi se deklaratat provokuese të zyrtarëve amerikanë konsiderohen ndërhyrje e hapur në punët e brendshme të Iranit. Ai ripërsëriti vendosmërinë e popullit iranian për të mbrojtur vendin nga çdo kërcënim dhe ndërhyrje e huaj.

