Pas aksionit në Theth, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur prishjen e ndërtimeve pa leje edhe në Valbonë.
Operacioni u shoqërua nga dhjetëra forca policore, të cilat asistuan IKMT-në në shembjen e rreth tetë objekteve të ndërtuara pa autorizim brenda Parkut Kombëtar. Sipas autoriteteve, këto ndërtime cenonin zonën e mbrojtur dhe ishin ngritur në kundërshtim me ligjin.
Aksioni është parashikuar të vijojë me prishjen e dhjetëra ndërtesave të tjera në zonë. Turistët që ndodheshin në Valbonë u përballën me prani të shtuar policore dhe me makineri të rënda që kryenin ndërhyrjet.
Ky zhvillim vjen pas tensioneve të shënuara në Theth, ku prishja e objekteve të akomodimit shkaktoi përplasje mes banorëve lokalë, forcave të rendit dhe ekipeve të IKMT-së.