Enriketa Papa, drejtuesja e këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, dorëzoi në SPAK një dosje për kullën e cila planifikohet të ndërtohet pas Teatrit të Operas dhe Baletit.
Papa tha pas daljes nga zyrat e SPAK-ut se ka denoncuar një aferë korruptive ku janë përfshirë pozita dhe elemente që sipas saj mbajnë peng opozitën e vendit. Ajo nuk dha detaje për përmbajtjen e dosjes duke theksuar se këto detaje do të publikohen në komunikime të mëvonshme të Partisë Demokratike.
“Denoncojmë korrupsionin dhe ky është hapi i parë që bëjmë për të denoncuar dhe treguar dëshminë e angazhimeve dhe luftës së vazhdueshme të PD për aferat korruptive që bëhen në kurriz të qytetarë.
Detajet e kallëzimit do të bëhen më tej në një deklaratë zyrtare të PD-së. Prania jonë bashkë me këshilltarët bashkiakë të PD-së është për të treguar se impenjimi ynë në emër të PD-së e qytetarëve të Tiranës që na mirëbesuan do të jetë i vazhdueshëm dhe i pandalur për të denoncuar aferat dhe për ta kthyer Tiranën në një qytet të qytetarëve dhe jo të oligarkëve dhe kryetarit të bashkisë.”- tha Enriketa Papa.