Partia Demokratike zhvilloi sot protestën e saj të parë pas zgjedhjeve të 11 majit, duke nisur një seri tubimesh të përjavshme para Kryeministrisë.
Ky tubim vjen pak ditë pasi zv/kryeministrja Belinda Balluku u mor e pandehur nga SPAK, çështje që ka ndezur debatet në skenën politike. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se protesta synon të krijojë një hapësirë alternative për diskutim publik, duke akuzuar mazhorancën se ka mbyllur debatin parlamentar. Sipas tij, opozita është lejuar të flasë vetëm një herë në nëntë seancat e fundit, ndërsa qeveria ka kaluar pa debat programin dhe buxhetin.
Në prag të tubimit, perimetri para Kryeministrisë është rrethuar me barriera metalike për të rritur masat e sigurisë. Partia Demokratike ftoi qytetarët të bashkohen në protestë, me thirrjen “Për familjen, për ekonominë dhe për demokracinë”.

