Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se po hartohet një plan për pastrimin dhe zhvillimin e Liqenit Akumulues të Mitrovicës, me synimin që kjo zonë të shndërrohet në një nga pikat më të rëndësishme turistike në Kosovë.
Peci ka publikuar në rrjetet sociale një video, ku shfaqet duke lundruar në liqen, ndërsa ka theksuar se gjendja e tij ka qenë e rënduar gjatë dy viteve të fundit.
“Në dy vitet e fundit, gjendja e liqenit ka qenë tejet e rënduar. Në funksion të kësaj, së bashku me Klubin e Zhytjes ‘Trepça’, kemi realizuar disa aktivitete pastrimi”, ka shkruar ai.
Sipas Pecit, aktualisht po punohet për hartimin e një plani të detajuar për zhvillimin e liqenit, duke e konsideruar atë si një nga vendet më të bukura në vend dhe me potencial të madh për zhvillimin e turizmit dhe krijimin e një atraksioni të rëndësishëm për vizitorët.

