Pedagogët e universiteteve në Tiranë zhvilluan një tjetër protestë duke kërkuar sërish rritje të pagës dhe përmirësim të disa kushteve shtesë, përfshirë dhe shtimin e fondeve për kërkimin shkencor. Kreu i Sindikatës së punonjësve universitare, Sandër Kovaçi, tha se kërkesa për rritje page nuk mund të konsiderohet e ekzagjeruar pasi pedagogët nuk po kërkojnë paga të standardeve evropiane, por minimalisht përafrimin e tyre me ato të kolegëve universitarë në Kosovë.
Pedagogët bënë me dije dhe hartimin e një peticioni drejtuar qeverisë, ku ata parashtrojnë disa kërkesa që synojnë rritjen e performancës akademike dhe shtimin e kërkimit shkencor në universitetet shqiptare. Përfaqësia e pedagogëve theksuan se e hëna e 17 tetorit do të jetë ditë bojkoti dhe nëse kërkesat e tyre nuk meren në shqyrtim, bojkoti do të vazhdojë me afat të
pacaktuar.
Në referimin për rritje të pagës, u kërkua që rritja e parë prej 30% të zbatohet në këtë periudhë, ndërsa rritja e dytë të zbatohet në tetorin e vitit të ardhshëm. Rritja totale prej 50% e pagave për pedagogët do të çonte në përafrimin e pagave me pedagogët e Kosovës, ku paga e një mësimdhënësi universitar atje shkon në 1500 euro. Kërkesa e shtimit të fondeve për kërkimin shkencor parasheh nevojën e investimit të 0.3% të GDP-së vjetore në këtë proces. Pedagogët i kujtuan qeverisë se fondet e kërkimit shkencor janë 10 herë më të vogla krahasuar me vendet e rajonit.