Simon Marçiniak ishte shënjestra e kritikave nga lojtarët dhe trajneri i Barcelonës pas eleminimit nga Liga e Kampionëve ndaj Interit.
Gjyqtari polak u akuzua nga katalanasit për disa episode në këtë përballje, sidomos për penalltinë e dhënë në fundin e pjesës së parë, kur Kubarsi ndërhyri ndaj Lautaro Martinesit.
Trajneri Hansi Flik kritikoi gjyqtarin, duke e akuzuar se ishte tendencioz dhe i njëanshëm në vendimet e tij.
Pedri shkoi edhe më tej me akuzat e tij. Mesfushori tha për “RMC Sport” se ky gjyqtar e ka dëmtuar sërish Barcelonën, dhe jo për herë të parë, duke kërkuar që Marçiniak të hetohet nga UEFA.
“Nuk është hera e parë që ndodh me këtë arbitër. UEFA duhet ta hetojë çështjen,” – tha Pedri.
Simon Marçiniak u gjend në një situatë të ngjashme edhe sezonin e kaluar, kur u akuzua nga drejtuesit e Bajernit të Mynihut se u anuloi një gol të rregullt në përballjen me Realin e Madridit.
Kujtojmë se Simon Marçiniak është përzgjedhur si gjyqtari që do të drejtojë finalen e Supërligës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Egnatias, që luhet më 12 maj.