Nga Hasan Bello

Në historinë e regjimit komunist dhe ish-Sigurimit të Shtetit, pengmarrja ishte një praktikë normale, për të cilën ka me dhjetëra e qindra fakte.

Në radhë të parë, kjo provohet me kampin e Tepelenës dhe kampe të tjera, ku regjimi mbante si pengje të gjalla gratë, fëmijët dhe familjarët e kundërshtarëve politikë. Kjo binte ndesh me çdo ligj dhe konventë ndërkombëtare.

Por le të ndalemi në një rast konkret, për ta ilustruar sesi ish-Sigurimi i Shtetit e praktikonte pengmarrjen në funksion të interesave të tij.

Në vitin 1949, u zbulua organizata “Rilindja Kombëtare”, e cila synonte rrëzimin e regjimit komunist. Organet shtetërore arrestuan një numër të madh personash nga Vlora, Gjirokastra dhe Delvina. Një pjesë e tyre u dënua me ekzekutim, ndërsa pjesa tjetër, megjithëse nuk kishte fakte konkrete, me burgime të rënda.

Në një letër që zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, i drejtoi Enver Hoxhës, propozonte që për interesat operative të ish-Sigurimit, dy persona të cilët nuk e meritonin dënimin me vdekje, të merrnin këtë dënim për t’u shfrytëzuar për kombinacione agjenturore jashtë shtetit. Të dënuaritë të mos ekzekutoheshin në realitet, por në mënyrë shumë sekrete të mbaheshin të izoluar. Ndërsa familjeve të tyre t’u dërgoheshin teshat e tyre me pika gjaku dhe t’u njoftohej ekzekutimi i tyre.

Disa prej familjarëve, të cilët për të shpëtuar të afërmit e tyre do të jepnin çdo gjë, t’u kërkohej që të dërgoheshin jashtë shtetit për t’u infiltruar në radhët e emigracionit politik ose në detyra të ndryshme. “Të dënuarit, — shkruante Kadri Hazbiu, — janë kështu një rezervë sekrete e jona, të cilët mund t’i përdorim si të duam, t’u falim jetën ose t’i pushkatojmë kur e shohim të nevojshme” (Promemorie e datës 6.1.1950).

Një rast tipik ishte ai me Pertef Agajn nga Ramica e Vlorës, i cili u dënua me pushkatim dhe nuk u ekzekutua. Familjes iu dërguan rrobat e tij të shpuara me plumba dhe të lara me gjak. Pertefi u mbajt i burgosur (peng) sekret. Ndërsa Kadri Hazbiu kërkoi nga i vëllai i tij, Reshat Agaj, që nëse donte ta shihte Pertefin të gjallë duhej të nisej jashtë shtetit për interesat e Sigurimit.

Reshat Agaj vdiq në vitin 1981 në Kenosha të SHBA-së në moshën 67-vjeçare. Ai nuk pranoi të punonte për Sigurimin e Shtetit dhe gjithçka ia tregoi amerikanëve. Për këtë, shkroi edhe një libër me titull “Vëllai i pengut”. Ndërsa historia e të vëllait të tij, Pertefit, është akoma më e dhimbshme. Ai humbi në qelitë e Sigurimit.

Kjo është një nga shumë historitë e pengjeve që sot i dëgjojmë rëndom nga bandat kriminale. Ish-Sigurimi, ish-drejtuesit dhe ish-bashkëpunëtorët, së bashku me pasardhësit e tyre nga të gjitha krahët e politikës, vijojnë ta mbajnë peng ende këtë shoqëri… Prandaj nuk i hapën dosjet ose i hapin me pikatore dhe krijojnë mekanizma ligjorë për t’i mbajtur të mbyllura!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *