ATDHEU, GJUHA…
Edhe pse kanë kaluar plot vjet nga humbja e tij fizike, Martin Camaj mori me vete disa pengje. Por, pengu më i madh për të ishte Atdheu që ai aq bukur e himnizoi në veprën e tij dinjitoze, që është botuar në shumë variante. Kontaktet e detyruara prej rrethanave të diplomimit në Beograd, marrëdhënia intelektuale me Ernest Koliqin dhe bashkëpunimi i tyre në revistën “Shejzat” nuk e privoi nga liria, kontaktet dhe marrëdhënia me identitetin shqiptar. Sepse për të Atdheu ishte frymë, ishte perëndi, ishte hy.
Edhe pse pati kontradikta me shtetin shqiptar, të pushtuar nga diktatura komuniste, ai mbajti në shpirtin e tij zanafillën e gjuhës, që në fakt është gegërishtja. Shumë gjuhëtarë në fakt e kanë analizuar këtë fakt. Pse vallë Martin Camaj shkroi në gegërisht? Dhe në fakt përgjigja ka të bëjë me vetëdijen letrare të tij dhe pa dyshim dhe me faktin që ai ishte një nga gjuhëtarët më të famshëm shqiptar. Duke qenë i shkëputur nga letërsia komuniste që lëvrohej në Shqipëri, ai bëri ç’është e mundur që të ruante më të mirën e atdheut të vet, gjuhën. Dhe me këtë gjuhë të ndërtojë atdheun e vet. Dhe pa dyshim dhe gjeninë e tij artistike.
A mund të quhet Martin Camaj një gjeni? Sipas kritikut të njohur Behar Gjoka që i ka kushtuar dy libra shkrimtarit Martin Camaj, patjetër që ai zë vend në panteonin më të lartë të letërsisë shqipe. Tekstet e tij me poezi, në prozë dhe në dramaturgji kishin elementet më moderne të letërsisë shqipe. Shumë kritikë letrarë e kanë krahasuar hermetikën e poezisë së tij me Montalen dhe Ungaretin. Dhe në fakt poezia e tij ka nivele të krahasueshme me gjithë poetët europanë.
Si të gjithë gjenitë Zoti do i servirte një jetë të vështirë. Në vitin 1948 ai do ishte një nga nismëtarët e kryengritjes së Postribës. Bashkëkohësit e tij tregojnë se atë e morën në drejtorinë e Brendshme dhe e rrahën tre ditë me radhë. Ndaj atij iu bë e pamundur të jetonte nën regjimin komunist. Do i ndodhte në fakt ajo që ndodhi me Arshi Pipën dhe Mitrush Kutelin që e varrosën si qen. Dhe pse u largua ai nuk e braktisi kurrë atdheun e tij as me profesion as me doke as me zakone dhe as me mall. Malli i poetit djeg shpirtin. Dhe si në tragjeditë greke vdes pikërisht kur gjithçka ishte bërë gati për tu kthyer në atdheun e ndryshuar. Vdiq pa shkelur më kurrë në Itakën e tij të ndaluar.
Por sa qe gjallë Atdheun se harroi asnjë çast. Me revistën e tij “Shejzat” ndiqte çdo fenomen letrar që zhvillohej në Shqipëri e Kosovë. Edhe pse nuk kishte asnjë lidhje me letërsinë e realizmit socialist ku mendimi i tij është që nuk mund të shkruhet letërsi në një shoqëri të tillë ai pati shumë respekt për veprën e shkrimtarëve shqiptarë. Por nuk kishte asgjë të ngjashme me to. Edhe pse ne jemi mësuar të etiketojmë Kadarenë dhe Agollin si të parët e letërsisë shqipe, letërsia e Camajt nuk ka të krahasuar me ta, sepse përmban gjeni shkrimore. Ai me veprën e tij tregoi që në letërsi nuk ka rreshtime. Nuk ka nevojë për hierarki. Sepse mesazhi i letërsisë së tij është universal. Ai gjithë jetës ka eksperimentuar në formë dhe “Palimsesti” i tij nuk ka shoqe në letërsinë shqipe.
Camaj ishte njeri shumë i veçantë dhe ndryshe nga gjithë shkrimtarët e diktaturës. Ai nuk pranoi çmime, dekorata e lavdërime. I refuzoi të gjitha. Ai jetonte si murgjit e Mesjetës. Kishte marrëdhënie me vetveten dhe me letërsinë. Shkrimtarët shqiptarë mbajnë radhë për qoka e çmime ndërsa ai i neglizhonte. Ishte shkrimtar i lartësive të mëdha. Për shkak të rrethanave është shkrimtari më modern i letërsisë shqipe. Moderniteti i tij ishte organik, hermetika e tij ishte personale dhe e bëri të cilësohej si një ndër poetët më të mëdhenj botëror. Letërsia dhe arti për të ishin kënaqësi dhe jo një armë për të dominuar popullin.
Për Martin Camaj qenia njeri ishte e vetëmjaftueshme. Ndaj në poezinë e tij nuk fsheh asgjë. Në të tregoi dhimbjen, zhgënjimin, aspirimin për të bërë një letërsi që s’ka të bëjë me askënd. Dhe pse në artin dhe letërsinë shqiptare ka djaj që pengojnë nuk ka mur që të pengojë zërin dhe madhështinë e tij sepse ai ka krijuar perla. Perla që për shumë arsye ndonjëherë me dashje mbyllen në guaskë. Edhe pas më shumë se 25 viteve largesë fizike amaneti i tij është akoma evident: letërsia është më e gjerë se letërsia e oborreve dhe pushteteve. Ndaj nëse Martin Camaj kishte peng Atdheun që se pa më kurrë, peng i kritikës bashkëkohore duhet të jetë dimensioni që duhet t’i japin një figure gjeniale si ai në letërsinë shqipe.
Burimi: Hejza