Pensionistët dhe “Lëvizja Bashkë” u mblodhën në të mërkurën e dytë të protestës para kryeministrisë duke kërkuar rritje të pensioneve dhe trajtim të dinjitetshëm për këtë kategori.
Pjesëmarrësit në protestë shprehen se qeveria ka mjaftueshëm para për favore për oligarkët, për shumëfishim të pagave për deputetë e ministra, por mashtron duke pretenduar se nuk ka para për pensionistët.
Në tubim u kërkua sërish miratimi i minimumit jetik pasi jetesa për pensionistët po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme.
Ndër të tjera pjesëmarrësit shprehen se po trajtohen si skllevër pasi punuan një jetë në shërbim të vendit të tyre.
Pensionistët thonë se rritja e fundit e pensioneve me 4% ishte tallje ndaj tyre dhe se protestat nuk do të ndalen.