”New York Times” ka publikuar një artikull sipas të cilit Lionel Mesi firmosi një kontratë të veçantë në llojin e saj në Arabinë Saudite kur negociohej për kalimin e tij te skuadra e Al-Hilal, transferim që nuk u realizoua pasi Mesi vendosi të transferohej në Amerikë.
Në artikull thuhet se qeveria e Arabisë Saudite i ofroi Mesit shuma të majme në mënyrë që ky i fundit të promovonte Arabinë Saudite me vizitat në këtë vend dhe në rrjetet e tij sociale, ndërkohë që çdo vizitë e tij do të paguhej dy milionë euro.
Ajo që bie në sy si detaj dhe që ka dëmtuar imazhin e Mesit është fakti se ai do të paguhej 25 milionë euro për të heshtur lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite.
Gjithçka lidhet me promovimin e imazhit të Arabisë Saudite si vend pretendent për organizimin e Kupës së Botës.
Sipas prestigjozes amerikane, kontrata në fjalë ishte firmosur nga vëllai i Mesit në janarin e vitit 2021.
Mesi nuk zgjodhi të bashkohej me Al-Hilal, por postimet e tij ku ai reklamon Arabinë Sauditë tregojnë se disa elementë të kësaj kontrate kanë mbetur në fuqi.