Nga Agim Morina
Anastas Janullatosi, agjenti antishqiptar i Greqisë, uzurpator i vendit të kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, në mes të Tiranës, mbas 30 vjetësh qëndrimi në Shqipni, nuk din shqip dhe u drejtohet besimtarëve ortodoksë shqiptarë në gjuhën greke në vitin 2023. Si asht e mundun që ortodoksët shqiptarë me duru një poshtnim kaq të madh?
Ky agjent, që nga fillimi e ka luftu shqipen, e ka luftu Fan Nolin, e ka luftu shqiptarsinë e Kishës Autoqefale Shqiptare çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muej, çdo vit, tue u përpjekë me e greqizu atë. Në Greqi, në shtetin e BE-së, shqiptarit të Greqisë nuk i lejohet as me folë shqip, as me u deklaru shqptar në regjistrimin e popullsisë. Për këtë arsye ata janë në zhdukje e sipër si pakicë. S’mundet as me u marrë se çfarë do të ndodhte në Greqi nëse një prift apo peshkop ortodoks do të fliste shqip besimtarëve ortodoksë shqiptarë. Kjo tregon se feja nuk shërben fare për shëlbimshpirtnash, por për realizim projektesh antishqiptare.
Kërkon nga ata që të kenë kujdes gjatë regjistrimit të popullsisë dhe të mos hutohen gjatë mbushjes së formularëve. Aty të kenë kujdes e të deklarohen se janë ortodoksë. A asht kjo punë e një kryepeshkopi që e ka uzurpu fronin e kryepeshkopit të KOASh-it, me u ngatërru në punët e një administrate që merret me këtë punë apo aj do të duhej me u kujdesë për grigjën e tij. Edhe ma shumë me u kujdesë me mësu gjuhën e grigjës së tij, shqipen, e mos me i fy ata.
Fetë, për fat të keq, në shumë anë janë ba kanale antishqiptare. Nënçmojnë shqipen, me këtë fyejnë ndjenjat kombëtare të shqiptarëve në atdheun e tyne, nënçmojnë traditat kombëtare shqiptare, fyejnë herojtë kombëtarë, lavdërojnë shtetet e hueja që financojnë projekte të dyshimta, të cilat nuk lejohen në shtetet prej nga vijnë. Me këtë mbjellin urrejtje dhe shkatërrojnë harmoninë që ua ka imponu me shekuj vetëm tradita shqiptare e mbështetun në Kanunin Shqiptar.
Kur shoh këta korba kaq të shumtë mbi trupin e kombit tonë habitem se si ia kemi dalë me shpëtu pa u zhdukë e pa u shkatërru. Ndoshta ndonjë mrekulli e ngjashme, si në të kaluemen, ka me na shpëtu prapë.