Nga Mehmet Elezi
Kërshëndella (Këshndella) është fjalë e moçme, e mbarë gjuhës shqipe.
Del qysh te Buzuku.
Në jug i pari e ka regjistruar Hahni. E ka Kuteli në përkthimin e “poemës” së Gogolit Frymë të Vdekura: “Pas Kërshëndellesh do të kemi edhe dhjamë derri”. “Për Kërshëndella do të kemi edhe pupla”. Edhe Konica Kërshëndella thotë. Te libri Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati, autori Agron Alibali shkruan: “Një qytetar nga Teksasi, në vitin 1935, donte të mësonte disa fjalë dhe përshëndetje të zakonshme shqip… Këto gjëra i pëlqenin Faikut, i cili i përgjigjet me kënaqësi, duke dhënë këto terma: Happy New Year – Për shumë vjet gëzuar moti i ri! Marry Christmas – Kërshëndellat gëzuar! …”.
Presidenti Rugova përherë i uronte besimtarët Gëzuar Kërshëndellat!
Prej latinishtes Christi natale, kërshëndella është në harmoni me krejt terminologjinë kishtare të shqipes. Siç është vënë në dukje, burimi latin i kësaj terminologjie tregon se krishtërimin e kemi marrë drejtpërdrejt prej Romës, pa ndërmjetësi. Pra kemi qenë fqinj me Romën e lashtë, jemi dheas në këto troje.
Krishtlindje është e vonë. Përkthim, “kalk i ri i fjalës greke” (Çabej). Megjithatë Fjalori i Gjuhës Shqipe i Akademisë e mbështet atë. Te kërshëndella shkruan krishtlindje. Ndërsa te krishtlindje shkruan “festa e ditës së lindjes së Krishtit (25 dhjetor)”, nuk shton kërshëndella. Krishtlindje e vlerëson “dominante”, parësore. Jo kërshëndella. Sipas drejtshkrimit të Kongresit 1972, me shkronjë të vogël!
(nga libri “Dritëhije në fjalorët e Akademisë”)