Nga Daut Dauti
Maximiliani I, më vonë i njohur si Maximiliani I i Meksikës, ka qenë ndër habsburgët tragjikë. Në vitin 1858 ai e vizitoi Shqipërinë, të cilin vend e përshkroi si shkretëtirë dhe vend larg civilizimit. Njësoj i përshkroi edhe shqiptarët. Është i vetmi udhëpërshkrues që nuk ka asnjë vlerësim pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët. Shqipëria dhe shqiptarët i kishin impresionuar të gjithë udhëpërshkruesit, por jo Maximilianin. Të vetmen gjë që e kishte përshkruar me një lloj neutraliteti (sa që tingëllon në simpati), janë xhamiat dhe minaret që i kishte vrojtuar në Tivar, Shkodër dhe Durrës. Po në këtë mënyrë ai i ka përshkruar edhe disa popuj tjerë.
Sidoqoftë, gjashtë vite pas vizitës së tij në Shqipëri, jeta e tij do të ndryshonte shumë. Duke qenë arrogant dhe duke patur ambicie të mëdha politike, ai u bë vegël e francezëve, të cilët e kishin okupuar Republikën e Meksikës. Në vitin 1864 Maximiliani e pranoi ofertën e Napoleonit III që të emërohej perandor i Meksikës. Me këtë akt francezët menduan se do ta mbanin Meksikën si shtet në vartësinë e tyre. Por, nuk doli ashtu.
Tri vjet më vonë, kur ushtria franceze u largua nga Meksika, Maximiliani besonte se mund të qëndrote në pushtet edhe më tutje përkundër faktit se kryengritja popullore meksikane për ruajtjen e pavarësisë dhe sistemit republikan zgjerohej. Ai e nënçmonte fuqinë e popullit meksikan dhe u besonte disa konservativëve të këtij vendi që kishin dalë në anën e tij e që më herët ishin në përkrahje të francezëve që e donin Meksikën si monarki nën kontroll të Francës. Kryengritësit shpejt e vunë Meksikën nën pushtet vendas, e zunë Maximilianin dhe e pushkatuan. Para pushkëve thuhet se Maximiliani kishte brohoritur: Viva México. Dhe, kështu vdiq Maximiliani në moshën 34 vjeçare në një vend të huaj ku mendoi se do të ishte perandor.
Kjo ngjarje ka pasur jehonë të madhe politike në botë. U bë me dije se popujt më nuk durojnë sundime të huaja dhe janë në favor të republikës e jo monarkisë, sidomos nëse ajo ishte e huaj. Po ashtu, kjo ngjarje pati ndikim edhe në art. Piktori francez, Édouard Manet, e pikturoi këtë akt duke e bërë të pavdekshëm në art Maximilianin. Në fakt kjo pikturë ishte një lloj kopje apo inspirim nga ajo e piktorit Francisco Goya, e titulluar ‘Tre Maji i Vitit 1808’ ku me anë të një pushkatimi paraqitej rezistenca e meksikanëve ndaj francezëve. Por ajo që bëri Manet me ‘pushkatimin e Maximilianit’ ishte vazhdimësi e tranfserimit të realizmit në impresionizëm.