Dhimitër Anagnosti ndërroi jetë ditën e djeshme në moshën 89-vjeçare.

Regjisori i njohur do të përcillet sot për në banesën e fundit, ndërsa homazhet do të mbahen në hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit nga ora 10:00 deri në orën 13:00.

Lajmin për orarin dhe përcjelljen e Anagnostit e dha e bija e regjisorit, Juna Anagnosti.

Jetëshkrimi i Anagnostit

Lindi në fshatin Vuno, Himarë, më 23 janar të vitit 1936. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën 7-vjeçare dhe të mesmen e përgjithshme i kreu në Vlorë. Në vitet 1954-1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator.

Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejit, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.

Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e Re” në vitin 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe filmin e parë dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës”, dhe një vit më vonë, i vetëm si regjisor, filmin “Dueli i heshtur”.

Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë dhe 10 filma dokumentarë, duke fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.

Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse për të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. Anagnosti ishte njeri i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me kurajë qytetare, e cila shpesh e ka vënë në shënjestër të mediokërve.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze, është nderuar me titullin “Artist i Popullit” (1987) dhe me Kupën e Karrierës në Festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar.

Viti 1991 e gjeti të angazhuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin u zgjodh edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Më 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri më 4 dhjetor 1994, kur dha dorëheqjen.

Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë dhe duke u angazhuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.

Në vitin 2001 shkroi dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 pati sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *