Nga Arbër Zaimi

Në korrik të vitit të kaluar një aeroplan ukrainas i ngarkuar me armë të prodhuara nga kompani serbe, i nisur nga Serbia, u rrëzua në Greqi. Zyrtarët serbë nuk e sqaruan deri në fund situatën, disa syresh thanë se ngarkesa me armë po dërgohej drejt Bangladeshit, por deri sa të arrinte atje do të kishte nja tre ndalesa. Pati spekullime të ndryshme, ndër të cilët pati asi që thoshin se ngarkesa me armë shkonte në Rusi, pra Serbia po thyente embargon. Aeroplani ukrainas, që mund të sigurohej lehtë nga oligarkë ukrainas të lidhur me Rusinë e Putinin, mund ishte maskimi që mundësonte operacionin, sipas këtij spekullimi. Një spekullim tjetër, qysh në atë kohë, ka qenë se Serbia po furnizonte me armë Ukrainën.

Ky spekullim shpjegonte kësisoj edhe tolerancën e çuditshme, madje moskokëçarëse, të qendrave të pushtetit perëndimor ndaj refuzimit këmbëngulës të Serbisë për t‘iu bashkangjitur shumicës dërrmuese të vendeve të kontinentit evropian që dënuan me embargo dhe votime të njëpasnjëshme në OKB e KE pushtimin rus.

Kosova e dënoi pa hezitim pushtimin rus, zëshëm, i dha azil gazetarëve ukrainas dhe vuri në dispozicion kapacitete strehuese për ukrainasit e shpërngulur nga dhuna, jo dhe aq për interes se sa për faktin e thjeshtë që 22 vite më parë vetë shqiptarët e Kosovës e kishin përjetuar një situatë të ngjashme nga një agresor fort i ngjashëm. Kosova, pa qenë pjesë e BE-së dhe pa patur marrëdhënie njohjeje me Ukrainën, e vendosi politikën e saj të jashtme dhe atë të sigurisë në linjë të plotë me BE-në, sa i përket çështjes së Rusisë dhe Ukrainës.

Një shpjegim cinik që është dhënë hera-herës nga ata që besojnë spekullimin që Serbia furnizon fshehurazi Ukrainën me armë, është se atje ku Kosova ka mundësi të kontribuojë vetëm me qëndrime diplomatike, Serbia po mundet të kontribuojë edhe me armë. Në rast luftërash armët peshojnë më shumë se sa parimet dhe diplomacia, andaj Serbia ka peshë më të madhe se Kosova, te kampi pro-ukrainas (pra te ai perëndimor). Është e mundur, sipas kësaj logjike, që autokrati i Serbisë të jetë bërë më i leverdisshëm se demokrati i Kosovës, në një lloj “ekonomie” të luftës.

Nëse spekullimi ka ndonjë farë baze, natyrisht, Vuçiqi nuk do ta ketë bërë këtë lëshim pa kërkuar diçka në këmbim. Çfarë mund të ketë kërkuar? Të rikthejë Kosovën nën Serbi? Kjo do të ishte marrëzi. Të futësh kundër çdo dëshire e logjike dy milion e gjysmë shqiptarë në një shtet me katër milion serbë e një milion të tjerë, do të thotë t’i vësh minat vetes. Retorika e Kosovës “zemër e Serbisë” mbase mban ndezur fitilat në kokat bosh, por asnjë person që e do pushtetin në Beograd nuk e mendon dot këtë gjë, dhe Vuçiqi i përket atyre që e duan pushtetin. Çka tjetër pra mund të ketë kërkuar? Marrjen e tre komunave rurale me shumicë serbe në Kosovën veriore? Edhe kjo do të ishte budallallëk. Ç’do të ndodhte pastaj me shqiptarët që jetojnë në ato komuna, apo me serbët që jetojnë në komuna të tjera? Ç’do të ndodhte me shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës? Si do të shkonte halli i vendeve të tjera ballkanike ku po ashtu ka komunitete etnike që nuk u pëlqen të mos bashkohen me vendet-amë? Kaosi i tillë do të krijonte paparashikueshmëri të papëlqyeshme për një njeri që do pushtetin, siç qartazi është Vuçiq. Atëherë çfarë pra mund të ketë kërkuar ai, nëse ata që spekullojnë thonë diçka që qëndron? Nuk e dimë, por logjika ta thotë se ai do të ketë kërkuar garanci për leva brenda shteteve që i sheh si interes serb. Pra garanci për leva në Kosovë, Bosnjë, Mal të Zi, ndoshta edhe Maqedoni e Shqipëri. Leva diku të natyrës ekonomike (tregje, biznese, rrjete oligarkësh), diku të natyrës politike (Zajednica, Republika Srpska, partitë pro-serbe në Mal të Zi), diku të natyrës religjioze (kisha serbe në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e Bosnjë, pak a shumë si kisha ruse në Ukrainë), diku të natyrës kriminale (strukturat paralele, banda rrugaçësh e huliganësh, organizata kontrabandistësh dhe zona ku nuk ka rend e ligj, siç ka qenë dikur veriu i Kosovës).

Cinikët mund të thonë se të gjitha këto, ose një pjesë e tyre, edhe mund t’i jenë premtuar Vuçiqit, nëse ai ka pranuar të furnizojë Ukrainën me armë dhe nëse ka dhënë fjalën të largohet nga Rusia e të afrohet me perëndimin.

Por mua nuk më bind deri në fund ky spekullim me nota konspirative dhe ky argument cinik.

E para: çfarë do t’i hynin në punë kampit pro-ukrainas apo vetë Ukrainës armatimet për të cilat Rusia është informuar paraprakisht e detajisht? Po të ishin problem i vërtetë armët serbe në Ukrainë, do të kishte kundërreagim rus, e jo angazhim të vazhdueshëm nga Putini e Lavrovi për mbrojtje të pozitave e qëndrimeve të Vuçiqit. Prezenca diplomatike, inteligjente dhe ushtarake e rusëve në Serbi është e mirënjohur dhe e gjithëpranuar. Do të ishte gabim taktik dhe cen strategjik të armatosesh me armë serbe për të luftuar Rusinë. Madje Rusia do të mund edhe ta sponsorizonte vetë një gabim të tillë.

E dyta: Serbia vjen prej një trashëgimie të gjatë të politikës bivektoriale. Edhe si Jugosllavi, por edhe më vonë, ajo është një ndër vendet që për dekada me radhë ka nxjerrë fitim të madh nga qëndrimi “as andej as këndej, por herë andej herë këndej”. Numri i fundit i revistës Foreign Policy (maj-qershor 2023) i kushtohet pikërisht vendeve me politikë bivektoriale, kryesisht në Amerikën Latine, Afrikë dhe në Azinë Jugore e Juglindore. Ato të gjitha pretendojnë se përfitojnë nga mosmarrja anë. Në kontinentin evropian i vetmi vend i tillë është Serbia. Por ka edhe vende të NATO-s, psh. Hungaria, që ndoshta po tundohen nga përkëdheljet dhe benefitet që nxjerrin vendet me politikë bivektoriale. Është vështirë të mendohet se politikëbërësit perëndimorë besojnë që, duke i garantuar Serbisë leva kontrolluese e destabilizuese te vendet fqinjë, ajo do heqë dorë nga bivektorialiteti dhe do anojë nga perëndimi. Aq më tepër kur, nëse armët paskan më shumë rëndësi se parimet dhe diplomacia, Serbia është e pajisur së fundmi me armë moderne ruse e kineze. Ka dhe vende të tjera që blejnë armë edhe në Rusi, edhe në Kinë edhe në Amerikë, psh. India, por askush nuk e ka iluzionin që India do të heqë dorë nga bivektorialiteti i saj, madje as kur ka përplasje kufitare me Kinën.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *