Ata që respektojnë vendimet e gjykatës mbështesin Rezolutën për Srebrenicën, ndërsa mohuesit e gjenocidit po bëjnë gjithçka për të parandaluar miratimin e saj. Diskutimi për Srebrenicën u transferua në skenën botërore.

Disa analistë pohojnë se fushata kundër miratimit të Rezolutës për Srebrenicën, e udhëhequr nga politikanët serbë me mbështetjen e aleatëve rusë dhe kinezë në OKB, ka arritur rezultate të caktuara. Rezoluta, e cila sipas pretendimeve të viktimave të mbijetuara të gjenocidit, duhet të jetë një akt qytetërimi, tani po përpiqet të paraqitet si diçka që mund të destabilizojë B-H dhe rajonin.

Fushata kundër miratimit të Rezolutës në OKB udhëhiqet nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili aktivizoi rrjetin diplomatik të Serbisë për të penguar miratimin e Rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Deklarata e tij se miratimi i Rezolutës për Srebrenicën do të thotë “hapja e kutisë së Pandorës” shkaktoi reagime të shumta.

Të mbijetuarit e gjenocidit e perceptojnë atë si një kërcënim të drejtpërdrejtë. “Vuçiç i përkiste strukturave dhe sistemeve politike që janë të lidhura me gjenocidin. Pohimi i tij për hapjen e kutisë së Pandorës është një kërcënim i drejtpërdrejtë për një gjenocid të ri”, thotë për DW Murat Tahiroviç, kryetar i Shoqatës së Viktimave të Gjenocidit dhe Dëshmitarëve.

Vuçiç “më i merituari” që kaq shumë flitet për gjenocidin në Srebrenicë

Tahirovia nuk e mohon se politikanët serbë kanë arritur “rezultate të caktuara” me fushatën e tyre. “Po, e arritën! Gjenocidi në Srebrenicë nuk u diskutua kurrë më shumë në OKB dhe në shumë vende të botës. Shumë vende të vogla nuk kanë dëgjuar asnjëherë për B-H, e lëre më Srebrenicën dhe gjenocidin. Ndërsa tani, falë Vuçiçit, kanë dëgjuar! Pavarësisht gjithçkaje, Srebrenica është sinonim i vuajtjeve të boshnjakëve”, thotë Tahiroviç.

Me kërkesë të Rusisë, një sesion i jashtëzakonshëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së u mbajt të martën (30 prill), ku anëtarja e Presidencës së B-H-së, Zheljka Cvijanoviç përsëriti pretendimet e mëparshme përmes video-lidhjes, se Rezoluta ishte përgatitur “në mënyrë të paligjshme” dhe pa qëndrime të dakorduara brenda B-H. Ajo thotë se janë shkelur procedurat e OKB-së, për të cilën ajo ka shpallur një kallëzim penal kundër ambasadorit të Bosnjë-Hercegovinës në OKB, Zlatko Lagumxhija. Ajo tha se Rezoluta e propozuar ishte “një shembull i shkeljes së Kushtetutës së Bosnjë-Hercegovinës dhe rrezikimit të paqes dhe stabilitetit”.

Ambasadori rus në OKB, Vasilij Nebenzja vuri në dukje se Moska është “kategorikisht kundër Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së” dhe shtoi se “Srebrenica nuk është e vetmja anë e errët e luftës në B-H”. Përfaqësuesi kinez përsëriti qëndrimin e politikanëve nga RS “se miratimi i Rezolutës pa pëlqimin e të dy njësive nuk është në përputhje me promovimin e paqes në B-H”.

Mendime të ndryshme në KS

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB Robert Wood dënoi mohimin e gjenocidit në Srebrenicë. “Vazhdimi i veprimeve të disa liderëve, përfshirë Milorad Dodikun, veçanërisht mohimi i gjenocidit, shkakton shqetësim. Është fakt i padiskutueshëm që në Srebrenicë është kryer gjenocid, siç është vërtetuar nga gjykatat ndërkombëtare. Ne mirëpresim vendimin e Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjë-Hercegovinën për të ndaluar pjesëmarrjen në zgjedhje të personave që kanë kryer gjenocid”, tha Wood.

Në mesazhet para votimit të Rezolutës, politikanët boshnjakë më së shumti i referohen vendimeve të Gjykatës së Hagës dhe Gjykatës së B-H-së, para së cilës disa zyrtarë politikë dhe ushtarakë të RS-së u dënuan për gjenocid ndaj boshnjakëve të Srebrenicës. Presidenti i partisë më me ndikim politik boshnjak – Partia e Veprimit Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviç, paralajmëroi në një letër drejtuar anëtarëve të OKB-së se gjenocidi ende po mohohet dhe kriminelët e luftës po glorifikohen në RS.

Rezoluta është “një mundësi e re për t’u përballur me të vërtetën”

“Miratimi i Rezolutës për Srebrenicën do të jetë një mundësi e re për t’u përballur me të vërtetën dhe një shans i ri për pajtim. Është gjithashtu një mundësi për të ritheksuar se përgjegjësia për gjenocidin e kryer është e pjesëve të regjimit të atëhershëm serb, dhe jo e gjithë popullit serb”, shkruan Izetbegoviç. Sipas kreut të SDA-së, kjo do të hidhte poshtë tezën për përgjegjësinë e popullit serb, të cilën e parashtrojnë përfaqësuesit politikë të serbëve në rajon “për të justifikuar krimet e regjimit të Millosheviçit dhe Karaxhiqit”.

I pyetur nga DW, se pse politikanët serbë në B-H dhe në rajon paraqesin rezolutën për Srebrenicën si kërcënim, sociologu nga Banja Luka, Ivan Shijakoviç u përgjigj se politikanët përdorin faktin se Srebrenica është simbol i “frikës, ankthit, shqetësimit, turpit, mosbesimit, frikës dhe trishtimit për çdo serb që ka qëllime të mira”. Ndërsa polkitikanët përpiqen të manipulojnë çështjen për hirëtë homogjenizimit kombëtar.

“Çdo përmendje e Srebrenicës, duke përfshirë edhe Rezolutën e OKB-së, përdoret nga politikanët për të përhapur frikën për tendenca kundër popullit serb, për rreziqet që i afrohen atij nëse nuk ndjekin lidershipin politik dhe liderët politikë, në këtë rast Milorad Dodikun dhe Aleksandar Vuçiçin”, thotë Shijakoviç.

Glorifikimi i kriminelëve të luftës në RS

Ai vë në dukje se përmbajtja e saktë e Rezolutës së OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë nuk është ende e njohur për publikun. Ndaj ajo mund të jetë objekt manipulimi dhe interpretimi keqdashës. Ai kujton gjithashtu se në dekadat e kaluara, teza se Republika Srpska është një “krijesë gjenocidale” është përhapur në media dhe rrjetet sociale.

“Të dënuarit për gjenocid në Srebrenicë glorifikohen nga politikanët dhe opinioni publik në RS si “heronjtë serbë”, ndërsa në vetëdijen kolektive çdo përpjekje për të vendosur fajësinë individuale perceptohet si një thirrje për faj kolektiv të serbëve në B-H dhe Serbi”, thotë Shijakoviç. Ai vë në dukje se përkufizimi i gjenocidit nuk përcakton qartë nëse ai është një akt i individëve apo një grup i organizuar “i cili gjithashtu mund të interpretohet ndryshe”.

“Le të jemi të sinqertë, për 80 për qind të njerëzve në botë, çdo krim i një individi fillimisht ngjall mendimin e përkatësisë së tij etnike dhe/ose fetare, mbi bazën e së cilës më pas formohen stereotipe të caktuara. Kjo është arsyeja pse ka gjasa që disa amerikanë, belgë, britanikë, norvegjezë, kinezë, sauditë apo nigerianë t’i identifikojnë krimet në Srebrenicë me serbët dhe jo me Radislav Krstiçin, Ratko Mlladiçin ose Radovan Karaxhiqin”, thotë Shijakoviç.

Manipulimet me “botën serbe”

Për psikologun dhe analistin politik nga Sarajeva, Ibrahim Prohiç, nuk ka dilemë: Rezoluta patjetër do të kontribuojë për të siguruar që krimi i gjenocidit të kryer nga forcat serbe të B-H në Srebrenicë në korrik 1995 nuk do të përsëritet kurrë. Bashkëbiseduesi i DW beson se “drama” që rrethon Rezolutën është “prodhuar artificialisht”, dhe se përgjigjet ndaj akuzave nga Beogradi janë “rezultat i një mashtrimi”.

“Vuçiçi dhe Dodiku pretendojnë se Rezoluta akuzon ‘të gjithë kombin’, ndërkohë që sipas këtyre trillimeve ‘përgjegjës nuk është kombi, por janë individët’. “Në të njëjtën kohë, harrohet se gjenocidi nuk është akt individual dhe vullnet i individëve renegatë, por akt i anëtarëve të strukturave zyrtare politike dhe (para)shtetërore që kanë planifikuar gjenocid”, thotë Prohiq.

Ai vëren se udhëheqja politike e serbëve të Bosnjës e shprehu një synim të tillë në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar përmes qëndrimeve të Partisë Demokratike Serbe të atëhershme. “Në një seancë në Pale, kjo u përcaktua edhe si një objektiv lufte, prandaj edhe komandanti i Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiç, paralajmëroi se ekzekutimi i udhëzimeve të tilla politike do të përbënte gjenocid”, kujton Prohiç.

Dimensione të shumta të përgjegjësisë

Faji individual është vetëm një dimension i përgjegjësisë. Dimensioni tjetër është përgjegjësia e politikës dhe e regjimit. Bashkëbiseduesi i DW-së pohon se regjimet aktuale në Banja Luka dhe Beograd, duke mohuar gjenocidin dhe duke kundërshtuar miratimin e Rezolutës për Srebrenicën në OKB, “po mbrojnë politikën që gjeneroi gjenocidin”.

“Në të njëjtën kohë nuk braktiset projekti i ‘Serbisë së Madhe’, pra projekti i ‘botës serbe’, për të cilin është bërë gjenocidi. Ky është orientimi i përhershëm i politikave në Beograd dhe Banja Lukë, të cilat rrezikojnë të përsërisin krimin në rrethana të favorshme gjeopolitike. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që në OKB të miratohet Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, e cila do të kishte edhe një efekt parandalues, në mënyrë që një krim i tillë të mos përsëritej kurrë”, thotë Prohiç.

Përfaqësuesit politikë të kroatëve në Bosnjë-Hercegovinë janë kryesisht të heshtur për Rezolutën për Srebrenicën. Gazetari dhe analisti politik nga Domaljevac (Posavina) Pejo Gashpareviç beson se qëndrimi i Beogradit në lidhje me rezolutën ka gjithashtu një sfond gjeopolitik dhe se Serbia në këtë mënyrë po rreshtohet me Rusinë në skenën më të lartë botërore, Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në një kontekst më të gjerë.

Debatet në skenën botërore: Perëndimi kundër Lindjes

“Ashtu si Rusia që shtrëngon retorikën e saj anti-perëndimore në lidhje me luftën në Ukrainë dhe akuzon Perëndimin se po ndihmon Kievin, edhe Serbia mban një qëndrim antiperëndimor në lidhje me Srebrenicën. Ajo kundërshton mbështetjen e shumicës së fuqive perëndimore për të miratuar Rezolutën për Ditën Ndërkombëtare në kujtimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë”, tha Gashpareviç për DW.

Ai thekson se në shkallë globale, “Serbia e vogël po përpiqet të pozicionohet si një lojtar i madh”. “Kështu, Beogradi po përpiqet të rikthejë pozitën e mëparshme si oficer policie në Ballkan që dominon atë pjesë të Evropës, për të cilën i duhet homogjenizimi i lartpërmendur”, thotë Gahspareviç.

“Në fakt, ambiciet e elitës politike serbe në këtë moment, përmes Rezolutës për Srebrenicën, synojnë skenën e madhe botërore në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku para syve të publikut politik global ata rreshtohen me Rusinë dhe Kinën – kundër Perëndimit”, thotë Gashpareviç.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së duhej të votonte mbi rezolutën të enjten (2 maj), por votimi u shty për konsultime shtesë. Rezoluta shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë dhe u kërkon anëtarëve të OKB-së që të përfshijnë fakte të vërtetuara gjyqësore për gjenocidin në programet arsimore./DW

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *