Historiani i njohur, Oliver Shmit ka kritikuar qasjen e perëndmit ndaj Serbisë duke thënë se toleranca ndaj Beogradit dhe presioni ndaj Prishtinës vetëm do e inkurajojnë Aleksandër Vuçiçin për të destabilizuar Kosovën.
Shmit i tha gazetës “Der Standart” se Kosova ka një qeveri legjitime dhe se Albin Kurti nuk mund të vihet nën presion si paraardhësit e tij.
“Kurti ka ardhur në pushtet përmes zgjedhjeve demokratike. Kurti është zgjedhur edhe për shkak se dëshironte të arrinte një pavarësi më të madhe nga shtetet perëndimore. Ky është qëndrim legjitim duke pasur parasysh se ndaj paraardhësve të tij Perëndimi lehtë mund të bënte presion për shkak të komprometimit të tyre me gjasë kriminal. Shtetet perëndimore nuk duhet të kenë interes ta dobësojnë qeverinë Kurti, aq më tepër që Kosova, në krahasim me Serbinë, është demokraci funksionale. BE dhe SHBA duhet ta kenë po ashtu parasysh se kërkesat e tyre ndaj qeverisë kosovare mund të nxisin strukturat paralele serbe dhe potencialisht mund ta destabilizojnë Kosovën.” – theksoi Shmit.