Prishtinë – Eksportet e perimeve nga Kosova po shënojnë rritje të ndjeshme, por kjo nuk po përkthehet në ulje çmimesh për konsumatorët vendorë. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, për periudhën janar–qershor 2025, eksportet kanë arritur shifra të konsiderueshme: domate rreth 30 mijë euro, speca 50 mijë euro, tranguj 277 mijë euro dhe patate afro 1.1 milion euro. Këto shifra nuk përfshijnë muajin korrik, kur tradicionalisht arrihet kulmi i prodhimit dhe eksportit.

Nga serrat e Mamushës në tregjet e Evropës

Fermeri 32-vjeçar Erbril Mazreku nga komuna e Mamushës ka mbjellë 2.5 hektarë me domate në serrë. Vetëm nga mesi i qershorit deri në fillim të gushtit, ai ka vjelë 150 tonë domate dhe pret edhe 150 tonë të tjera. E gjithë prodhimi i tij shitet jashtë vendit.

“Domatet në treg vendor nuk i shes. Jashtë i shes më shpejt dhe më shtrenjtë. Sivjet çmimi është 60 cent për kilogram, ndërsa këtu është më lirë”, tha Mazreku për Radion Evropa e Lirë.

Në pikën grumbulluese Eurotaç në Mamushë po mblidhen edhe tranguj, lakra, qepë e patate, ndërsa së shpejti do të nisë edhe grumbullimi i specave. Pronari i kompanisë, Nehat Thaçi, thekson se kërkesa për prodhimet vendore në tregjet e Ballkanit dhe Evropës e tejkalon ofertën. Vetëm për 20 ditë të korrikut janë eksportuar perime me vlerë mbi 1 milion euro dhe kontratat e sezonit arrijnë deri në 3 milionë euro.

Çmime të larta në tregun vendor

Pavarësisht rritjes së eksportit, çmimet e perimeve në tregun vendor mbeten të larta për standardin e qytetarëve, me pagë mesatare 639 euro. Gjatë verës, një kilogram speca shitet deri në 1.50 euro, domatet deri në 1.20 euro, trangujt mbi 1 euro dhe patatet pak më lirë.

Hartim Gashi, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Përpunueseve të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës (PePeKo), shpjegon se përpunimi i perimeve sezonale ka rritur kërkesën dhe ka ulur sasinë e produkteve në tregun lokal. Sipas tij, 68% e kompanive të këtij sektori eksportojnë kryesisht në Gjermani, Zvicër dhe Austri.

“Fermerët vendorë i japin prioritet eksportit, pasi çmimi është më i mirë, pagesa më e sigurt dhe procesi më i shpejtë,” thotë Gashi.

Importi nuk bie

Kosova vazhdon të varet nga importi i perimeve, veçanërisht gjatë dimrit dhe në periudha kur prodhimi vendor mungon. Kjo përfshin edhe sezonin e vjeshtës, kur shumë familje furnizohen me perime për turshi. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025, importi i këtyre kulturave ka arritur mbi 1.5 milion euro.

Ekspertët si Gashi dhe agroekonomisti Fatmir Selimi mendojnë se institucionet duhet të balancojnë nevojat e tregut të brendshëm me eksportin. Ata propozojnë masa mbrojtëse, subvencione dhe vendosje kuotash për import gjatë sezonit të prodhimit vendor.

“Nga 15 qershori deri më 15 shtator, importi i domates duhet të kufizohet, p.sh. në maksimum 100 tonë në ditë,” sugjeron Gashi.

Selimi nënvizon nevojën për mbështetje financiare për rritjen e rendimentit dhe cilësisë së prodhimit. Ministria e Bujqësisë bën të ditur se vitin e kaluar ka subvencionuar 5.000 hektarë tokë me perime, me 600 euro për hektar në fushë të hapur dhe 850 euro për hektar në serra. Aktualisht, sipërfaqja totale e serrave me perime në Kosovë është 242 hektarë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *