Zbardhet udhëzimi për zbritjen e çmimeve të referencës nga 1% çdo vit, por jo më shumë se 30% në rast shitjeje për apartamentet, dyqanet, parkimet, fabrikat; Shembujt e Financave

Nga tatimi i të ardhurave 15%, pas tjetërsimit të pasurive të paluajtshme, duke përfshirë rastin e shitjes do të përjashtohen apartamentet që shiten nëpërmjet ankandit pas bllokimit nga zyrat përmbarimore për moshlyerje kredie.

Në këtë kategori përfshihen pasuritë e paluajtshme, të cilat janë vendosur në hipotekë bankare për marrjen e kredisë. Udhëzimi “Për tatimin mbi të ardhurat nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme”, i botuar më 17 janar në Fletoren Zyrtare, përcakton se për këto lloj shitje të detyruar, të kryer nëpërmjet ankandit nuk do të aplikohet tatimi mbi të ardhurat 15%.

“Shitja e detyruar e pasurive të paluajtshme nga personat juridikë publikë apo subjekte të barazuar me ta (zyrë përmbarimi) Nuk i nënshtrohen dispozitave të këtij udhëzimi rastet e shitjes së detyruar të pasurive të paluajtshme nga personat juridikë publikë apo subjekte të barazuar me ta (zyrë përmbarimi), kur procedura e shitjes është e parashikuar në akte ligjore e nënligjore”, përcakton udhëzimi.

Për pronat e përfituara falas nga Enti Kombëtar i Banesave (EKB) dhe ato të përfituara nëpërmjet statusit të pastrehut në rast shitjeje do të tatohen 15%. Për pronat e përfituara nga të pastrehët në rast shitjeje do tatohen për 70% të vlerës. Pra nga vlera e apartamentit do t’i falen 30% e shumës.

Sipas udhëzimit shitja e pasurive të paluajtshme të përfituara nga Enti Kombëtar i Banesave Enti Kombëtar i Banesave (EKB), të gjitha kontratat, që lidh me qytetarët për shitblerjen e banesave, i vlerëson dhe i shet me koston reale të të gjitha shpenzimeve direkte, që janë bërë për ndërtimin e apartamentit.

Vlerësimi i apartamentit, që i dorëzon qytetari EKB-së, bëhet duke shumëzuar sipërfaqen e shfrytëzimit të apartamentit me koston e shfrytëzimit, të vitit kur është marrë në dorëzim banesa e re e ndërtuar nga EKB-ja me fonde shtetërore, në të cilën është trajtuar qytetari që e dorëzon këtë apartament.

Shembull

Shitje e përjashtuar nga tatimi 15%

Individi AA ka në pronësi të tij një apartament me sipërfaqe 89 m2 , të cilin e ka vënë në hipotekë bankare për kredinë e marrë nga banka “Zeta” në shumën 1,000,000 lekë. Individi AA, huamarrës në bankë, nuk shlyen dot kredinë e cila në dhjetor të vitit 2014 ka arritur shumën 3,500,000 lekë. Banka, nëpërmjet një vendimi gjykate të datës 5.1.2024 ka nxjerrë në ankand apartamentin e debitorit AA. Nëpërmjet ankandit banka ia shet pasurinë individit BB për shumën 4,000,000 lekë, nga të cilat 3,500,000 lekë i arkëton në llogari të saj dhe 500,000 lekë ia kthen debitorit AA.

Shitje e përjashtuar

Shitja e bërë me ankand nga banka të apartamentit të individit AA, nuk është subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë.

Shembull

Si do të llogaritet tatimi 15% për apartamentet e përfituara falas nga EKB në rast shitjeje

Individi AA, me banim në Lezhë, i persekutuar politik, me kontratën e shitblerjes, datë 23.2.2002, ka përfituar falas nga EKB-ja një banesë me sipërfaqe 98 m2 , të cilën e ka regjistruar në DVASHK në vitin 2008.Viti i fitimit të titullit të pronësisë së kësaj prone për herë të parë është viti 2001. Në datën 17.1.2024, individi AA nënshkruan një kontratë shitblerje me individin BB, të cilit i shet shtëpinë më vlerën 5,700,000 lekë.

Vlera në shitje Për të përcaktuar vlerën në shitje, krahasojmë çmimin e referencës së apartamentit me vlerës në kontratën e shitjes: Llogarisim vlerën në shitje me çmimin referues: 98 m2 x (56,000 lekë/m2 – 1% * 22 vite përdorimi * 56,000 lekë/m2 ) = 4,280,640 lekë Duke qenë se vlera sipas kontratës së shitjes është më e madhe se ajo sipas çmimeve të referencës, si vlerë në shitje për llogaritjen e tatimit merret vlera sipas kontratës së shitjes 5,700,000 lekë (vlera në shitje).

Vlera në blerje Vlera në blerje për banesën, e cila nuk ka vlerë të përcaktuar në blerje (pasi është marrë falas), është e barabartë me vlerën sipas kostos së vitit në të cilin është regjistruar pasuria në DVASHK (kosto e vitit 2008): 98 m2 x 33,745 lekë/m2 = 3,307,010 lekë

Tatimi i llogaritur Tatimi që duhet të paguajë shitësi AA është: (vlera në shitje – vlerën në blerje) x 15 % (5,700,000 lekë – 3,307,010 lekë) x 15% = 358,949 lekë

Shembull

Si do të llogaritet tatimi 15% për apartamentet e përfituara me statusin e të pastrehut nga EKB në rast shitjeje

Enti Kombëtar i Banesave (EKB) në qytetin e Bilishtit, në vitin 2015 i shet individit AA një banesë me sipërfaqe 98 m2 me kontratë shitblerje datë 11.7.2015. Viti i fitimit të titullit të pronësisë së kësaj prone për herë të parë është viti 2014. Në kontratë thuhet se vlera e apartamentit sipas shpenzimeve të EKB-së ka kushtuar 1,800,000 lekë.

Duke qenë se individi AA, thuhet në kontratë, ka statusin si i pastrehë, nga vlera e apartamentit do t’i falen 30% e shumës, pra 540,000 lekë, dhe vlera përfundimtare, që duhet të shlyejë individi AA për EKB është 1,260,000 lekë. Individi AA, në vitin 2024, vendos ta shesë apartamentin e tij dhe me kontratën e shitblerjes datë 22.04.2024, këtë apartament ia shet individit BB në vlerën 3,430,000 lekë.

Vlera në shitje Për të përcaktuar vlerën në shitje, krahasojmë çmimin e referencës së apartamentit me vlerës në kontratën e shitjes: Llogarisim vlerën në shitje me çmimin referues: 98 m2 x (35,000 lekë/m2 – 1% * 9 vite përdorimi * 35,000 lekë/m2 ) = 3,121,300 lekë Duke qenë se vlera sipas kontratës së shitjes është më e madhe se ajo sipas çmimeve të referencës, si vlerë në shitje për llogaritjen e tatimit merret vlera sipas kontratës së shitjes 3,430,000 lekë (vlera në shitje).

Vlera në blerje Vlera në blerje për banesën e blerë nga EKB-ja me kontratën e shitjes së datës 11.7.2010, është vlera që ka paguar në fakt individi AA, pas faljes 30 % të bërë, pra vlera 1,260,000 lekë.

Tatimi i llogaritur Tatimi që duhet të paguajë shitësi AA është: (vlera në shitje – vlerën në blerje) x 15 % (3,430,000 lekë – 1,260,000 lekë) x 15 % = 325,500 lekë./D,Azo

Burimi: Monitor.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *