Pas dy javësh qëndrimi në spital, gjendja shëndetësore e ish-kryeminsitrit, Fatos Nano duket se është përmirësuar.
Për t’i lehtësuar atij furnizimin me oksigjen, mjekët kanë kryer një hapje kirurgjikale të trakesë ku dhe kanë vendosur një tub plastik në fyt. Pas kësaj ndërhyrje është bërë e mundur dhe nxjerrja e tij nga intubimi.
Fatos Nano vuan nga një sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike e quajtur ndryshe si “SPOK” (COPD), sëmundje kjo që shkaktar kryesor ka duhanpirjen.
Kjo patologji prek mushkëritë dhe karakterizohet nga një ngushtim i rrugëve të frymëmarrjes me pasojë kryesore vështirësinë e furnizimit me oksigjen. Rreth 12% e popullsisë evropiane vuan nga “SPOK”, ku një pjesë e konsiderueshme e të sëmurëve arrijnë të jetojnë deri në 90 vjeç.