Pyetje: – Ç’mund të na thuash për botimin e revistës “Përpjekja shqiptare”?
Përgjiqje: – Branko Merxhani, njëri nga publicistët më seriozë të asaj kohe, mendoi të botonte një revistë si antipod të “Yllit të dritës”, një “Revistë laike dhe universitet për të rinjtë tanë,” – kështu thoshte Brankoja. Kërkoi leje dhe ia dhanë. Mua më kishte pranë. Përgatitëm numrin e parë. Ai më diktonte, unë shkruaja. Gjithë lëndën e zgjodhëm mirë. Ai shqipen e lexonte shumë mirë, po për ta shkruar nuk e shkruante dot. Qysh në numrin e parë, botuam një artikull kundër Hitlerit. Ma dha Brankoja dhe e përktheva nga revista “Le monde” e shkruante njëfarë Aron… Në faqen e dytë të kopertinës shkruhej: drejtor Branko Merxhani, administrator: Petro Marko. Pra, kishte firma të shquara për atë kohë. Numri i parë u prit mirë dhe pajtimtarët po shtoheshin. E dinin që ne ishim keq, nuk merrnim asnjë subvencion nga qeveria (aso kohe të gjitha gazetat dhe revistat merrnin subvencion nga qeveria, përveç “ABC”-së dhe “Përpjekjes shqiptare” deri atëherë).
Dërgonin shkrime shumica e intelektualëve laikë dhe përparimtarë. Dërgonin shkrime letrare gjithë ata të rinj të atyre viteve. Edhe Migjeni dërgoi. Brankoja ushqente një simpati të veçantë për të dhe thoshte se ai ishte talent dhe gjenial. Më dërgoi në Pukë për ta takuar. Më dha dhe tre napolona, që t’ia jepja, pasi ai ishte shëndetlig.
Kur vajta në Pukë, e njoha. Më bëri përshtypje portreti i tij i skalitur nga dora e mendimit dhe e dinjitetit. Fliste pak. I thashë se kush isha, dhe u gëzua kur më pa. Ai flinte në një dhomë përdhese dhe të gjatë, aty nën xhade, nën shkollë. Pranë tij banonte dhe infermier Filipeu, i cili më pëlqeu; ai më uroi për revistën dhe më premtoi se do të bashkëpunonte me ne. Me Milloshin ndenja dy ditë. Gjithë bisedat tona silleshin rreth stilit, rreth formës, rreth problemeve që duheshin ngritur në art e në publicistikë. Nuk i pëlqente zhurma. Në bisedë e sipër i thashë:
– Millosh, ti shkruan errët, ndaj duhet të shkruash më hapur, që të kuptohesh nga shumica e lexuesve tanë. Ne duhet të shkruajmë më thjeshtë, më hapur dhe jo mealudime.
– Që ta pësojmë si me “ABC”-në, a? Jo, vëlla! Ne duhet të shkruajmë mirë, me zemër e me mend, por me mjeshtëri artistike. Paçka se nuk na kuptojnë dot. Arti asht art dhe publicistika asht publicistikë. Ja, bie fjala, shumë nga poezitë e tua nuk më pëlqejnë se… – u mendua ca.
– A të vjen keq, a, që po të flas si vëlla?
– Jo, Millosh, nuk më vjen keq aspak, por, si të ta them unë, ti je shumë hermetik dhe koha e hermetizmit ka kaluar. Duhet të jemi realistë dhe çdo shkrim yni duhet të ngrejë një problem.
Ai shikonte larg. Ishim në pragun e barakës ku flinte; po niseshim për të ngrënë në një restorant të vogël e të vetëm të Pukës.
– Dëgjo, Petro! Nëse nuk më kuptojnë, unë shkruej për vedi! – dhe më shikoi në sy. – S’ka ma lumtuni sesa kur ndjenjat e tua i shpreh me sinqeritet dhe dashuni për njeriun. – Më hodhi krahun. – Njerlu, kur shkruen, nuk merr leje nga askush, përveç ndërgjegjes së vet. – Më vështroi në sy! – Asht kështu apo jo?
Zërin e kishte të qetë dhe të ngarkuar me sinqeritet e pasion!
– Le të shkruejmë, se do të na kuptojnë, more Petro! Tani shkojmë të hamë. Më duen fort dhe aty në restorant më shërbejnë sikur t’i kisha të familjes.
Ky qe takimi i parë me Migjenin. Për takimin e dytë dhe të fundit do të flas më poshtë. Të kthehemi te revista “Përpjekja shqiptare”. Brankoja, ç’është e vërteta, studionte. Ishte konfuz, pori kishte vënë vetes një qëllim: t’i shërbente kulturës sonë, historisë sonë. Këtë e kishte me sinqeritet, pa asnjë pretendim. Ai pranonte bashkëpunime nga njerëz kompetentë për problemet që shtronte. Bashkëpunonte me revistën edhe Mustafa Kruja, që ishte emigrant politik antizogist, por simpatizant i Musolinit. Ai artikujt albanalogjikë i nënshkruante me pseudonimin Shpend Bardhi. Bashkëpunonin Krist Maloku, me pseudonimin Krisma, Eqrem Çabej, Tajar Zavalani, Perikli Mboija, Vangjel Koça, dhe shumë të tjerë, të gjithë ata që dikur bashkëpunonin me “Illyrian”.
Ra qeveria e Mehdi beut dhe erdhi përsëri Musa Juka, i cili na thirri në zyrë. Ai nisi të na fliste turqisht, por Brankoja i tha se unë nuk e dija turqishten, prandaj të flisnim shqip.
Pasi na dha cigare (unë nuk e pija), porositi dhe kafet. Pastaj na tha:
– Ju kam thirrë me ju thanë se naltmadhnia e tij më porositi t’ju them se, nëse vazhdoni botimin e revistës, duhet me ba nji deklaratë në faqen e parë që nuk jeni komunistë!
Unë iu përgjigja menjëherë:
– Nuk kam bërë gjer më sot ndonjë deklaratë ku të them se jam komunist!
Fytyra e Musa Jukës u nxi dhe më hodhi një shikim të egër.
– Asht urdhni i naltmadhnisë së tij. Tanë bota ju njef si komunistë. Brankoja, i qetë, foli:
– Musa efendi, kjo punë duhet menduar mirë, prandaj na jep një javë afat, sa të vendosim.
Musa Juka ndërroi fytyrë duke dëgjuar Brankon:
– Mirë pra! Mbas nji jave due përgjigje!
U ndamë. Brankoja nuk fliste fare. Shkuam drejt e te dyqani i pijeve të Totos dhe Gjikurias, aty në hyrjen e Pazarit të Vjetër, ku shkonim e hanim me kredi. U futëm në dhomën e fundit, ku ishin vozat dhe damixhanat. Totoja na solli meze; për Brankon uzo dhe mua verë, si gjithnjë. Brankoja, pasi piu gotën e parë, më tha;
– Dy janë rrugët: ose t’ia heq vetes, ose të bëjmë njëfarë kompromisi… – Ai fliste me dashuri për revistën. Thoshte se ishte revista e parë ku mund të rrihej mendimi filozofik, ku mund të shtroheshin problemet e kohës. Ishte mjeti më i ndershëm për të nxjerrë kafshatën e gojës. – Nuk mund të jetojmë me sadakara. Jemi njerëz apo jo? – gati po përlotej. – E kam menduar mirë. Unë do të shkruaj artikullin “Pse nuk jam marksist” Me të do të tregoj një të vërtetë, se unë nuk jam marksist, po nuk e luftoj marksizmin, siç luftoj fashizmin dhe nazizmin. Ta kam thënë se te ne gjer më sot nuk ka asnjë marksist, – dhe nisi nga filozofia e Platonit, e Hegelit, e Durkhaimit e të tjerë, e të tjerë. – Jam një demokrat liberal, antifashist,- dhe pinte me ngadalë uzon “Omega.”
I thashë:
– Po qe se ti boton një artikull të tillë, unë e heq emrin nga revista. Ti do të fitosh antipatinë e rinisë dhe të të gjithë intelektualëve të Shqipërisë. Punë e madhe se do të na e mbyllin revistën. Do të jetojmë duke bashkëpunuar me shtypin…
– Nuk e kam fjalën se do të vdesim nga uria, por më vjen shumë keq ta mbyllim këtë revistë që po bëhet “universiteti popullor”.
Pastaj ai u këshillua dhe me shokët e tij, si me Vangjel Koçën e të tjerë, dhe shkoi e i tha Musa Jukës se do të botonte një kiyeartikull ku të tregonte se nuk ishte marksist. Ishte numri i tretë i revistës, kur unë e hoqa emrin tim nga ajo.
U punësova si redaktor në gazetën “Vatra” të Timo Dilos, ku shkruaja reportazhe dhe skica letrare, punova disa kohë dhe tek “Arbëria” e Nebil Çikës, i cili kishte hapur një fushatë të madhe kundër fajdexhinjve. Shkova në Korçë, i dërguar nga Timo Dilo, për disa reportazhe, sidomos për një anketë se ku duhej ngritur ndërtesa e re e prefekturës: në lagjen myslimane apo në shëtitoren “Shën Gjergj.” Bëhej luftë e madhe për këtë problem.
Në “Arbëria”, përveç “simiteve të ngrohta” e të tjera, botova dhe dy parodi: “Lufta” me emrin Patër Fishta dhe “Bagëti e bujqësia” me emrin Naim Frashëri: në të dyja paroditë demaskoja personalitete si Musa Juka, Koço Kota e të tjerë.
Marrë nga libri ”Intervistë me vetveten (Retë dhe Gurët)” me autor Petro Markon fq. 166-172