Përplasja për mandatin e deputetit mes Adriatik Lapajt të “Shqipëria Bëhet” dhe Endri Shabanit të “Nisma Thurje” duket se po i kushton gjithnjë e më shumë kësaj të fundit.
Ditën e djeshme, Pano Soko – një funksionar me profil publik – deklaroi largimin nga partia, duke e cilësuar situatën e fundit si “të turpshme dhe fyese” për ata që i votuan në zgjedhje.
Pas tij, një tjetër funksionar i rëndësishëm i “Nisma Thurje” ka njoftuar largimin. Bëhet fjalë për Klajdi Pllahën, këshilltar bashkiak i kësaj force politike në Bashkinë e Korçës.
Reagimi i plotë i Klajdi Pllahës:
“Një mik i mençur më pati thënë dikur: ‘Për të njëjtën arsye pse hyn në një parti, për të njëjtën edhe del prej saj.’
Në vitin 2021, kur u angazhova për herë të parë me Nismën Thurje, e njihja pak, por hyra me idealizëm, sepse besoja në pastërtinë e të rinjve që donin të ndryshonin sistemin. E përfaqësova në tri palë zgjedhje, duke rritur rezultatin dhe duke u pjekur politikisht, pa humbur idealizmin dhe pastërtinë.
Tani ka ardhur momenti të shkëputem nga kjo lëvizje. Ngjarjet e zgjedhjeve të fundit treguan se ky idealizëm është humbur në këtë parti, ose, në rastin më të mirë, është vënë në hije nga egoja personale apo papjekuria politike.
Mbase një ditë do të ndodhë një reflektim i thellë dhe i sinqertë nga dy drejtuesit e koalicionit, por për momentin, unë nuk mund ta përfaqësoj më Nismën Thurje.
Nuk pendohem për këto pesë vite angazhim. Së pari, sepse më kanë bërë të njoh të rinj të tjerë idealistë, që fatkeqësisht, njëri pas tjetrit, janë larguar nga Nisma. Së dyti, gjatë gjithë kohës nuk jam ndjerë i përfshirë në vendimmarrjen e partisë. Për këtë arsye, kam qenë gjithmonë më afër qytetarëve të Korçës sesa vetë partisë. Dhe jam i sigurt se të gjithë ata që më kanë votëbesuar, ia kanë dhënë besimin Klajdit – jo partisë.
Angazhimi im politik do të vazhdojë, ashtu si në dy vitet e fundit në Këshillin Bashkiak, për të qenë zëri i qytetarëve korçarë – tashmë dhe zyrtarisht si i pavarur, ashtu siç jam ndjerë gjithmonë.
Pavarësisht gjithçkaje, unë mbetem pozitiv dhe besoj fort se të rinj idealistë dhe me karakter nuk do t’i mungojnë kurrë Shqipërisë – madje as politikës. Ndërkohë, le të vazhdojmë të forcojmë zërin qytetar.”