Një situatë e pazakontë po zhvillohet brenda koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, i cili në zgjedhjet e fundit parlamentare hyri me premtimin për lista të hapura dhe transparencë. Megjithatë, zhvillimet paszgjedhore kanë nxjerrë në pah një përplasje të brendshme për mandatin e vetëm që koalicioni arriti të fitojë në qarkun e Tiranës.
Zegir Kordhoni, kandidat i listës së mbyllur dhe pjesë e “Nisma Thurje”, po kërkon të marrë mandatin, ndonëse sipas marrëveshjes së brendshme të koalicionit, ai i takon Adriatik Lapajt – kandidatit më të votuar nga lista e hapur. Kordhoni është gjithashtu daja i Endri Shabanit, bashkëkryetar i koalicionit dhe drejtues i “Nisma Thurje”, i cili vetë nuk arriti të sigurojë mjaftueshëm vota për t’u zgjedhur deputet.
Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” u formua nga tre parti, mes të cilave “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt dhe “Nisma Thurje” e Endri Shabanit. Ata garuan me një listë të mbyllur formalisht, por me dakordësinë që mandatet do t’i merrnin ata që do të merrnin më shumë vota nga qytetarët në listën e hapur.
Në listën e mbyllur u përfshinë emra familjarësh dhe të afërmish që ishin zotuar të dorëhiqeshin, duke ia lënë vendin më të votuarit. Aktualisht, sipas rezultateve zyrtare, mandati i koalicionit i takon Ana Dajkos – e renditur e para në listën e mbyllur – por më i votuari nga qytetarët ka qenë Adriatik Lapaj. Për të hyrë në Kuvend, duhet që Dajko dhe 11 kandidatët e tjerë të listës së mbyllur të dorëhiqen nga mandati, ashtu si ishin zotuar.
Ndërkohë, Zegir Kordhoni – i renditur i nënti në listë dhe sipas të dhënave, një punëtor ndërtimi që trajtohet me KEMP – ka shfaqur interes për të marrë mandatin, duke shkaktuar reagime të forta brenda koalicionit dhe në publik. Ai nuk është ndalur, pavarësisht marrëveshjes së dakordësuar nga drejtuesit e forcave politike.