Një aksident i rëndë është regjistruar në zonën e Cakranit, në Fier, ku një automjet tip “Mercedes” është përplasur me një furgon të Policisë së Shtetit. Si pasojë e përplasjes, furgoni ka përfunduar në kanalin anësor të rrugës, duke thyer edhe barrierat mbrojtëse të autostradës.
Në momentin e aksidentit, në furgon ndodheshin dy efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), të cilët u transportuan menjëherë drejt Spitalit Rajonal të Fierit.
“Rreth orës 11:00, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Cakranit”, automjeti me drejtues shtetasin A. Y., ka goditur automjetin e FNSH Fier, me drejtues punonjësin e policisë K. H. Për pasojë është dëmtuar shtetasi A. Y. dhe tre punonjës të policisë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit”, njofton policia.

