Elon Musk ka sulmuar ashpër kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, pas njoftimit të qeverisë së tij për përgatitjen e një ndalimi të përdorimit të mediave sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç. Sipas autoriteteve spanjolle, masa synon rritjen e mbrojtjes së të miturve dhe forcimin e përgjegjësisë së kompanive teknologjike për përmbajtjet e dëmshme në platformat digjitale.
Përplasja mes dy figurave u intensifikua pasi Sanchez akuzoi Muskun se po përdorte platformën X për të përhapur dezinformim lidhur me vendimin e qeverisë së tij për legalizimin e rreth 500 mijë emigrantëve të paligjshëm dhe azilkërkuesve. Kryeministri spanjoll theksoi gjithashtu se vetë Musk është emigrant, me origjinë nga Afrika e Jugut.
Në reagimin e tij publik, Musk përdori tone të ashpra, duke e quajtur Sanchez “tiran dhe tradhtar të popullit të Spanjës”, ndërsa postimi i tij u shoqërua edhe me elementë fyese.
Sipas raportimit të Reuters, përveç Spanjës, edhe Greqia po shqyrton vendosjen e një ndalimi të ngjashëm për fëmijët nën moshën 15 vjeç. Këto iniciativa pritet të ndjekin shembullin e vendeve si Britania e Madhe dhe Franca, ndërsa Australia u bë në dhjetor vendi i parë që ndaloi aksesin në rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç.

