Detaje të reja janë zbardhur nga debatet e zhvilluara sot mes drejtuesve demokratë gjatë mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, e cila u mbajt me dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave.
Sipas burimeve për gazetarin Osman Stafa, gjatë mbledhjes janë regjistruar përplasje të ashpra mes sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, dhe ish-deputetit Ervin Salianji. Debati ka pasur në fokus organizimin e strukturave dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në Foltoren e Sali Berishës në Elbasan.
Flamur Noka ka akuzuar Salianjin se, përmes ndikimit të tij, është angazhuar grupi i Suel Çelës për të penguar pjesëmarrjen e qytetarëve në aktivitetin politik të Berishës.
“Në Elbasan njerëzit thonë që po angazhohet Suel Çela për të mos pasur njerëz në foltore dhe ky është ndikimi yt”, mësohet t’i jetë drejtuar Noka Salianjit.
Nga ana tjetër, Ervin Salianji i ka cilësuar deklaratat e Nokës si “idiotësi”, duke reaguar ashpër ndaj akuzave. Ai ka paralajmëruar Nokën që të jetë i kujdesshëm me pretendimet, duke rikujtuar akuza të mëparshme ndaj tij.
“Ende nuk e kam caktuar takimin, por deri më sot kam menduar të mos flas për të shmangur përçarjen. Megjithatë, duhet të jesh i kujdesshëm, sepse ke qenë i akuzuar para katër vitesh se mblidhje firmat e seksioneve nën kërcënimin e Suelit. Nëse vazhdoni me këto idiotësi, faktet i kam dhe i sjell”, është shprehur Salianji.
Debatet janë zgjeruar edhe me ndërhyrjen e anëtarëve të tjerë të Kryesisë. Bislim Ahmetaj ka akuzuar Flamur Nokën për çorganizim të strukturave të partisë, duke theksuar se kjo situatë po demotivon demokratët dhe po dëmton mobilizimin në bazë.
Nga ana e tij, Noka ka kundërshtuar pretendimet, duke deklaruar se në disa degë, përfshirë Durrësin, nuk kanë qenë demokratët ata që kanë shkaktuar problemet, por individë që, sipas tij, janë të lidhur me kundërshtarë politikë.
Përplasjet e forta në Kryesinë e PD-së tregojnë tensionet e vazhdueshme brenda forcës më të madhe opozitare, në një moment të ndjeshëm për organizimin dhe qëndrimet politike të saj.

