Shpallja e Vetëqeverimit shqiptar të qarkut të Korçës më 10 dhjetor 1916 është një ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë. Ajo kishte shkakësi historike rrezikun e aneksimit të tij nga Greqia, para Luftës së Parë Botërore, gjatë dhe pas saj.
Siç dihet, përgjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912 dhe më pas, qarku i Korçës dhe i Gjirokastrës u pushtuan nga ushtria greke, e cila vendosi një regjim ushtarak, që bashkë me andartët dhe bandat kriminale të sjella nga Kreta dhe “batalionet e shenjta” të krijuara në Shqipëri, kryen genocid ndaj popullsisë shqiptare në vitet 1913-14, siç janë masakrat e përgjakshme në fshatrat kufitare të Kolonjës e të Leskovikut, Përmetit, Skraparit, Gjirokastrës, Tepelenës Bilanci i të vrarëve dhe të masakruarve arriti në 7000 frymë, 192 fshatra të djegur, mëse 100.000 njerëz të shpërngulur me dhunë nga vatrat e tyre, nga të cilët 4000 vdiqën nga uria dhe tifoja, përveçse shkatërrimeve të mëdha materiale, djegiet e shtëpive, rrëmbimin e bagëtive e të pasurive.
Përpos pushtimit ushtarak, në Korçë u vendos edhe regjimi civil grek, në krye të të cilit qëndronte qeveritari Argjiropulos. Greqia nuk hiqte dorë nga përpjekja për të aneksuar jugun e Shqipërisë të ashtuquajtur prej saj Vorio- Epir, në kundërshtim edhe me vendimet e Konferencës së Londrës të 29 korrikut 1913 dhe protokollin e Firences për përcaktimin e kufijve jugorë.
Fuqitë e Mëdha, në notën e 31 janarit 1914 drejtuar qeverisë greke, kërkonin largimin e ushtrisë greke nga Korça e Gjirokastra, si kompensim i dhënies së Greqisë të ishujve të detit Egje. Nën presionin ndërkombëtar, qeveria greke, më në fund pranoi të largonte ushtritë nga qarku i Korçës, duke përfunduar evakuimin më 1 mars 1914. Më 2 mars hynë në Korçë forcat e gjindarmërisë shqiptare me oficerët hollandezë në krye. Në Korçë u vendos një administratë shqiptare nën vartësinë e KNK dhe një korpus vullnetarësh shqiptarë nën komandën e Themistokli Germenjit.
Pikërisht në këtë kohë nisi dredhia e politikës greke për ta marrë kalanë nga brenda. Më 2 mars 1914, ditën që forcat shqiptare hynë në Korçë, u shpall në Gjirokastër e ashtuquajtura “Autonomi e Vorio-Epirit” nga Zografos, ish-ministër i Jashtëm i Greqisë, i cili krijoi edhe një qeveri të përkohshme kukull, ku merrnin pjesë edhe ish-funksionarë të lartë dhe peshkopë grekë. Për të mbështetur Zografon zbarkuan në Sarandë bandat e ardhura nga Gjiriti si edhe u kontigjentet vendase të rekrutuara tek Ierollohitët. Disa ditë më pas, majori i ushtrisë greke Spiro Milo shpalli “autonominë e Himarës”, që përfshinte 7 fshatra të banuara historikisht nga shqiptarët. Autoritetet civile greke dhe ushtarake greke, të mbështetur edhe nga Kisha greke në Korçë, aktivizuan andartët dhe banditë të sjellë nga Greqia, që zëvendësuan ushtrinë e rregullt greke dhe organizuan një kryengritje brenda në Korçë, duke e kombinuar me mësymjen nga jashtë, për t’i treguar botës se atje ishte Greqi dhe se popullsia e Korçës donte bashkimin me Greqinë. Kështu u organizua puçi ushtarak i 2 prillit 1914. Skenari ishte ky: një kryengritje nga ushtarët grekë, të veshur civilë si edhe të andartëve, të fshehur në Mitropoli, në spital si të sëmurë, nëpër shtëpi e gjetkë dhe të ierollohitëve vendas. Peshkopi grek Germanos u ra kambanave të kushtrimit, si edhe njoftoi ushtrinë greke, që të ndërhynte për të “shpëtuar” vëllezërit në Korçë, pra një kombinim i puçit nga brenda me ndëryrjen ushtarake nga jashtë. Puçistët e armatosur dolëm në mesnatë nga vendet ku ishin fshehur, atyre u erdhën edhe andartët që ishin vendosur në Devoll dhe bashkërisht pushtuan ndërtesat publike, si edhe hyrjet në qytet. Lufta më e rreptë u zhvillua në prefekturë. Forcat e xhandarmërisë shqiptare të komanduara nga oficeri hollandez G.Sneller, korpusi i vullnetarëve të Korçës i komanduar prej Themistokli Gërmenjit dhe forcat vullnetare të Kajo Babjenit nga Gora si edhe të batalionit të Kolonjës të komanduar nga Gani Butka, bashkë me kapitenin amerikan Spenser, i thyen kryengritësit pas katër ditësh luftimesh dhe arrestuan peshkopin Germanos e krerë të tjerë të puçit, që i dërguan në Elbasan.
Ndërkohë ushtria e rregullt greke kishte kaluar kufirin nga ana e Leskovikut dhe ishte nisur për në Korçë. Përpjekja e parë e përgjakshme u bë në Qafën e Badrit. Atje luftoi trimërisht Qani Ypi me një çetë kolonjarësh. U vranë të gjithë, bashkë me komandant Qani Ypin. Atëherë Sali Butka dha kushtrimin. U mblodhën 350 vullnetarë. Me të u bashkuan edhe luftëtarët e Devollit me në krye Hasan Bitinckën, si edhe luftëtarët e Pogradecit me Jasshar bej Starovën dhe çetarët e Shaban Blloshmit. Erdhën në ndihmë edhe luftëtarët e Taborit të Strugës me Demir Aliun në krye. Çetat e shtuara të Sali Butkës zhvilluan luftime në qafën e Qarrit, në Shtikë dhe në Butkë në datat 19, 20 dhe 21 prill 1914 , duke i penguar ushtarët e Greqisë të shkonin në Korçë. Ja ç’shkruant gazeta “Koha” e datës 3 maj 1914: “Në luftërat e Shtikës dhe të Butkës më 19, 20 e 21 prill, kur grekët bënë më të mëdhatë yryshe, që të thyenin krahun e mëngjër të ushtrisë shqiptare, kapedan Saliu me të birin e tij, Ganinë dhe me shokët e tij, iu kundërshtua armikut kaq burrërisht dhe luftoi me aq mjeshtëri e trimëri, sa armiku e uli kokën përpara armëve të shqiptarit , i la vendet që kish zaptuar , u thye dhe u çakërdis, duke lënë në fushën e luftës më tepër se 150 të vrarë”. (Gazeta Koha e M. Gramenos, 3 maj 1914)
Por beteja më e madhe u bë në Nikolicë, mes Kolonjës e Devollit. Sali Buka zuri vijën e frontit Qafë e Kazanit- Arrëz- Nikolicë- Ushtria greke, e mbështetur edhe nga andartët, mësynë këtë herë me 2000 ushtarë të pajisur edhe me artileri, nën komandën e kapiten Vardhës për të pushtuar Korçën. Grekërit u thyen dhe u hodhën matanë kufirit. Në këtë betejë, u vranë mëse 200 ushtarë grekë, si edhe ranë mjaft luftëtarë shqiptarë, mes tyre edhe ladorishtarët Bajram Coma dhe Demisha Hoxha nga Tabor i Strugës, që i kanë ende varret në Nikolicë, si edhe u zu rob Hasan Bitincka. Në luftë e sipër, Sali Butka u plagos në syrin e majtë, që ia prishi dritën për jetë.
Ndërkohë nisi rebelimi Rebelimi haxhiqamilist, maj 1914 , që solli luftë të brendshme dhe anarki. Për të shpëtuar Korçën dhe Pogradecin nga pushtimi dhe shkatërrimi haxhiqamilist, lufuan dhe u vranë në Pogradevc 60 kolonjarë bashkë me komandantët e tyre Gani Butka dhe Zalo Prodani. Largimi i Princ Vidit nga Shqipëria më 3 shtator 1914 dhe fillimi i Luftës së Parë Botërore, e kthyen Shqipërinë në shesh lufte të fuqive ballkanike dhe europiane. Nga kjo situatë përfitoi qeveria greke për të depërtuar ushtrinë e saj në Shqipëri dhe në fund të vitit 1914 Korça dhe Gjirokastra ishin të pushtuara prej saj. Ushtritë serbe arritën deri në Durrës. Ndërkohë, Shqipëria Veriore dhe Qëndrore ishin pushtuar nga Austriakët, që pasi kishin thyer serbët, kishin përparuar deri në afërsi të Korçës. Italianët kishin zënë vend në qarkun e Gjirokstrës dhe në një pjesë të Kolonjës, si edhe në ishullin e Sazanit e në Vlorë. Fuqitë e Antantës, për të tërhequr Greqinë në anën e tyre, i premtuan Venizellosit sovranitetin mbi Shqipërinë e Jugut, në këmbim të pjesëmarrjes së saj të menjëhershëm në konfliktin botëror. Këto orekse u shfaqën në Traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915.
Ndërkohë që lufta botërore vijonte në Frontin Perëndimor, Aleatët hapën Frontin Ballkanik nën komandën e gjeneral Sarrej me qendër në Selanik. Në tetor 1916, Regjimenti i parë i kalorësisë së lehtë të Afrikës, i komanduar nga nënkoloneli de Burnazel, pushtoi ushtarakisht kazanë e Korçës.
Kur ushtria franceze u shtri në këtë krahinë, u ndodh përballë një lëvizje të gjerë të armatosur shqiptare, që luftonte për dëbimin nga krahina e pushtuesve grekë, synimet aneksioniste të të cilëve ishin të njohura . Forcat patriotike të qarkut të Korçës reaguan dhe e rrethuan qytetin: çetat e Sali Butkës, që bashkëpunonin me austriakët, u shtrinë prej Kamenicë gjer në teqenë e Melçanit dhe fuqitë e Themistokli Gërmenjit, me mbështetjen bullgaro-maqedonase, nga Podgoria deri në Melçan. Të dy komandantët bënë marrëveshje për ta shtrënguar ushtarakisht Korçën. Teqeja e Melçanit do të ishte qendër tyre e përbashkët.
Me ardhjen e forcave franceze, këta i larguan grekët kostandinistë, si kundërshtarë të Antantës dhe vendin e tyre e zunë venizelistët, që shpejtuan të vinin në Korçë nga Selaniku, ku e kishte ngritur qeverinë Venizeloja, nën mbrojtjen e fuqive ushtarake të Antantës.
Nga forcat kombëtare shqiptare u përdor strategjia e marrëveshjes me Francezët, nëpërmjet Themistokliut, por edhe e shtrëngimit e imponimit ushtarak, nëpërmjet forcave të Sali Butkës. Sali Butka i dërgoi autoritetit ushtarak në Korçë, kolonelit Burnazel këto kërkesa:
1)Të ngrihet flamuri shqiptar në Korçë. 2) Të çelen shkollat kombiare shqip në Korçë dhe të mbyllen shkollat greke. 3) Ushtria franceze të dalë nga qyteti i Korçës dhe të qëndrojë në Debojë, te kazermat. ( Petro Harizi, Histori kronologjike e Qarkut të Korçës, 1919)
Në këto rrethana të pafavorshme strategjike e ushtarake për francezët, gjeneral Sarrej dërgoi në Korçë kolonelin Dekuan me dy batalione këmbësorie dhe skuadrone kalorësie dhe një bateri artilerie, me udhëzime të qarta: “Gjenerali nuk do në Korçë as grekë të asnjë lloji, as italianë, as esatistë “
Më 23 nëntor 1916, koloneli largoi nga Korça qeveritarin grek Argjiropolos me gjithë shpurën e tij dhe shpërndau bandat e së andartëve. Dekuan e çmoi ndjenjën kombëtare shqiptare në Korçë, që sipas tij “okupacioni grek ka mundur të mos e lërë të marrë frymë, por nuk ka mundur ta mbysë”
Më 24 nëntor, Themistokliu u paraqit tek autoritetet franceze dhe u takua me kolonelin Dekuan. Janë të famshme falët e Themistokliut: “Unë jam një patriot shqiptar. Nuk kam asnjë shkak armiqësie kundër francezëve. Nuk kam qenë kurrë kundër jush, por me ata që më dukej se garantonin lirinë e atdheut tim. Unë grekët i shikoj si armiqtë tanë më të mëdhenj. Kam marrë armët për t’i luftuar. Tash që autoritetet franceze larguan nga Korça përfaqësuesin e qeverisë greke, nuk kam më asnjë arsye për të qëndruar në mal. Vinj pra tek ju si një njeri plotësisht lojal, Kimëni në dispozicion. Nuk kërkoj gjë tjetër veçse t’ju ndihmonj e të vë në shërbimin tuaj influencën time mbi popullsitë”
Edhe nga këto fjalë atdhetare të Themistokliut, del qartë se rreziku kryesor për qarkun e Korçës ishte ai grek.
Petro Harizi, atdhetar dhe intelektual korçar dëshmon: “Populli bëri një mbledhje në Kazino, ku një shumicë e madhe e popullit vendos që të akceptohen konditat e Sali Butkës: dmth. të ngrihet flamuri shqiptar dhe të çelen shkollat shqipe” (Petro Harizi, Historia kronografike e Korçës)
Kjo gjë vërtetohet edhe nga konstatimet, por edhe dokumentet e sjella nga doktori i shkencave juridike në Francë, N. Kotta, që ka studiuar me themel dokumentat franceze: “Po ashtu, edhe popullata e braktisur e Korçës iu drejtua komandantit francez, të cilit i shprehu dëshirën të ishte e lirë dhe i kërkoi që krahina e Korçës, e ndarë si pasojë e luftës nga pjesa tjetër e Shqipërisë, të shpallej si republikë autonome shqiptare nën mbrojtjen franceze, duke pritur bashkimin e saj me Shqipërinë”. (Nuçi Kotta, Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë, Paris).
Koloneli Dekuan i vlerësonte kështu forcat patriotike shqiptare: “Në perëndim të Korçës, bandat austro-shqiptare të Sali Butkës. Tërësia e bandave të Sali Butkës kishte forcën e disa batalioneve franceze. Në veri të Korçës, bandat bullgaro-shqiptare të Themistokliut kishte forcën numerike të një batalioni francez.
I rrethuar nga forcat luftarake shqiptare, koloneli francez bëri përçapje për të kontaktuar me komandantët shqiptarë.
“Dekuani dërgoi një komision prej qytetarësh korçarë tek Sali Butka, që ja të falet dhe të merret vesh me francezët, ja të largohet nga qarku i Korçës. – shkruan historiani i Krahinës vetëqeverisëse të Korçës, Petro Harizi.
Por Komandanti i forcave shqiptare Sali Butka pranoi të bisedonte me autoritetet franceze për të mirën e Korçës e të Shqipërisë. Atëherë koloneli Dekuan dërgoi tek Sali Butka një delegacion ushtarak me në krye major Masjet, bashkë me një dërgatë të qytetarisë së Korçës. Bisedimet qenë të suksesshme.
Kërkesat e Sali Butkës, datë 3 dhjetor 1916:
1. Vetëqeverimi i kazasë së Korçës do të përmbledhë provizorisht Bilishtin, Kolonjën, Oparin dhe Gorën, gjersa të çlirohen krahinat e tjera.
2. Flamuri zyrtar do të jetë flamuri i Skënderbeut me shqiponjën dykrenare.
3. Gjuha zyrtare do të jetë shqipja.
4. Do të formohet një komision prej pesë patriotësh i zgjedhur nga luftëtarë të lëvizjes kombëtare. Komisioni do të përmbushë detyrat e një qeverie me të drejtë të bëjë ligje, të emërojë e të pushojë nëpunës, të ndryshojë e të rregulojë çdo gjë që sheh të dobishme e të arsyeshme.
5. Administrata do të përbëhet nga elementë patriotë të sprovuar.
6. Gjykatoret do të veprojnë në gjuhën shqipe dhe me personel të aftë për plotësimin e detyrës.
7. Arsimi do të jetë krejt shqiptar, me baza të shëndosha kombëtare.
8. Të mbyllen gjithë shkollat propagandistike greke
9. Postat dhe telegrafat do të varen nga administrate shqiptare
10. Të formohet një polici për të mbajtur qetësinë e qytetit.
11. Të formohet një gjindarmëri shqiptare me komandantë shqiptarë për të mbrojtur vendin.
12. Komanda franceze detyrohet të mbrojë vetëqeverimin e kazasë së Korçës nga çdo kërcënim
13. Qeveria franceze merr detyrimin moral të përkrahë të drejtat e Shqipërisë dhe veçanërisht të Kazasë së Korçës në konferencën që do të mblidhet, kur të mbarojë lufta. ( Historia e Shqipërisë, Tiranë 1994 dhe kronikani P.Katro)
Koloneli Dekon i pranon në librin e tij “Gjashtë muaj histori të Shqipërisë” propozimet e Sali Butkës dhe kthesën që bënë propozimet e tij për shpalljen e Vetëqeverimit shqiptar të Korçës.
“Ky evolucion do të kishte mundur të bëhej shkallë-shkallë, sikur një përçapje personale e Sali Butkës, i cili nga teqeja e Melçanit vëzhgonte dhe ndiente edhe vetë aspiratat e bashkatdhetarëve të vet, të mos kishte ardhur e shkaktuar rrëkëllyerjen e përshpejtuar të ngjarjeve. Në mbrëmjen e 3 dhjetorit, mora nga ai një letër, në të cilën ai më shpallte se ishte krejt i disponuar të linte armët, në qoftë se komanda proklamonte pavarësinë e Kazasë së Korçës, nën mbrojtjen ushtarake të Francës. Kuptohet vetiu se unë nuk isha kompetent për të marrë vendimin, që dëshironte Sali Butka, por ishte detyra ime të studioja në mënyrë sa më të plotë çështjen e t’i jepja Gjeneralit Kryekomandues të gjithë elementet e vendimit që do të mirrte në këtë mes” ( Gjeneral Dekuan, Gjashtë muaj Histori të Shqipërisë, Paris)
Koloneli Dekuan i shqyrtoi kërkesat e Sali Butkës nga pikëpamja ushtarake , dmth shqyrtoi pasojat që pranimi ose refuzimi i propozimeve të Sali Butkës do të kishte mbi operacionet e ushtrive aleate në Lindje. Ai ia drejtoi çështjen, bashkë me arsyetimin e tij, kryekomandantit Sarrej në Selanik dhe mori prej tij përgjigje pozitive, që miratonte pikëpamjet e Dekuan-it. Menjëherë thirri Themistoklinë dhe i kumtoi dy telegramet nga Selaniku. Koloneli jep një vlerësim të lartë dhe prekës për Themoistokliun: ”Kënaqësia e tij qe nga më të thellat. Edhe me të vërtetë , ai shihte të realizuar ëndrrën e tij, pavarësinë e vendit të tij, e ai do të ishte farkëtari kryesor i kësaj ngjarjeje historike”
Komandanti ushtarak Dekuan i ktheu përgjigje pozitive, Sali Butkës:
“Zotit Sali Butka
Komandant i Luftëtarëve Vullnetarë Shqiptarë, Melçan
Sipas instruksioneve të marra nga Kryekomandanti i Ushtrive Aleate të Lindjes, Gjenerali Sarrej, kam nderin të vë në dijeninë tuaj se komanda aleate e sheh me sy të mirë dhe e çmon lëvizjen tuaj patriotike për të drejtat e popullit shqiptar për liri dhe indipendencë. Gjithashtu, mori parasysh dëshirat e shfaqura në letrën tuaj të datës 3 të këtij, të cilat i gjeti të arsyeshme dhe jam i autorizuar t’ju komunikoj pëlqimin dhe aprovimin….
Pranoni, zoti Komandant shprehjet e konsideratës sime më të shquar.
Kolonel Dekuan
Komandant i Qarkut të Korçës” ( Petraq Katro, Jeta dhe veprimtaria patriotike e Sali Butkës).
Sali Butka u gëzua nga plotësimi i konditave të propozuara: “Zoti major,- i shkruan majorit Masjet,- jam shumë i kënaqur nga përgjigja e zotit gjeneral dhe ju lutem t’i shkruani për mirënjohjen time të thellë, bashkë me urimet e mia për fitoren e fuqive aleate. Gjithashtu, ju lutem t’i bëni nderime zotit kolonel dhe ta siguroni mbi besnikërinë time. Qysh sot jam shpirtërisht i bashkuar me ju dhe pres rastin e volitshëm të vihem plotësisht në radhët tuaja” (Po aty)
Koloneli Dekuan së bashku me shtatmadhorinë e tij dhe Themistoliun punuan gjithë natën dhe hartuan dokumentin e shpalljes të vetëqëverimit të kazasë së Korçës, që, sipas Dekuan-it, do të përbënte në një farë mënyre “Statusin themeltar të Shtetit autonom të Korçës” (Dekuan, veper e cituar)
Në Protokollin e datës 10 dhjetor 1916, sanksionohet: “Sipas dëshirës së popullit shqiptar, të cilën e rrëfeu me anë të përfaqësonjësve të tij, Kazaja e Korçës, bashkë më qarqet e Bilishtit, Oparit dhe Gorës, formojnë krahinën vetëqeveritare të Korçës për t’u qeverisur prej qeveritarëve shqiptarë, nënë mbrojtjen e komandës së ushtrisë Franceze”. (protokolli i 10 dhjetorit 1916)
Kazanë do ta qeveriste një komision prej 14 shqiptarësh, 7 të krishterë dhe 7 myslimanë, gjuha zyrtare do të ishte gjuha shqipe, flamuri shqiptar i Skënderbeut, me një kordhele tringjyrësh të Francës. Themistokli Gërmenji u emërua shef i Policisë, ndërsa Petro Harizi u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i Këshillit qeveritar.
Dekuani e përshkruan kështu momentin kur u shpall publikisht Protokolli: “Themistokliu doli në ballkon, iu drejtua popullit me një fjalim dhe, në mes brohoritjesh, shpalosi flamurin e Skënderbeut, kravatuar me ngjyrat franceze, në vendin ku ditë më parë valonte flamuri grek”.
Ky ishte një akt historik tejet i rëndësishëm në historinë e Korçës dhe të Shqipërisë, sepse afirmonte karakterin etnik shqiptar të krahinës së Korçës dhe administrimin e saj nga shqiptarët, ishte një marrëveshje me përmbajtje politike dhe ushtarake e arritur mbi baza pariteti dhe interesi të ndërsjelltë, por me vlera kombëtare për ne, jo vetëm për në atë moment, por edhe më vonë gjatë përballjeve në Konferencën e Paqes, që Korça t’i mbetej përfundimisht Shqipërisë. Edhe vetë francezët ishin të interesuar për një marrëveshje të tillë. “Për të shpëtuar nga rreziku i komprometimit të gjendjes sonë në Korçë, ne duhet të bënim diçka, që popullsia shqiptare të lidhej me ne në mënyrë të pakundërshtueshme dhe përfundimtare”- shkruante Dekuan. ( Po aty)
Po ashtu edhe gjeneral Sarrej i telegrafonte Ministrisë së punëve të Jashtme të Francës në mars 1917: ”Korça deshi të ishte e pavarur dhe e tillë u bë. Qysh atëherë në këtë krahinë mbretëron qetësia” (Historia e popullit shqiptar, 2007)
Në këtë arritje historike ndihmuan edhe patriotët e shquar te Korçës e të Kolonjës si Petro Harizi, Petraq Katro, Thoma katundi, Dr.Mborja, Qamil Panariti, Emrullah Boshanji, Hysen Butka etj.
Mirëpo, në mesin e vitit 1917, ndryshuan ekuilibrat ndërkombëtare si edhe zhvillimet e Luftës së Parë. Franca gjithnjë e më shumë po anonte nga Serbia e Greqia, gjë që e treguan edhe traktatet që u nënshkruan prej saj në dëm të Shqipërisë. Franca iu kundërvu brendisë politike të Protokollit, meqenëse ajo binte në kundërshtim me interesat greke dhe orientimet politike progreke të qeverisë së Parisit. Kjo gjë ndikoi edhe tek qëndrimet dhe zhvillimet ushtarake në Korçë. Kthimi në pushtet i Venizellosit, që futi Greqinë anën e Antantës, qershor 1917, për të cilën ishin përpjekur me kohë qarqet politike të Francës e më gjerë, e ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve në Korçë.
Kolonel Dekuan-in e larguan nga Korça, si përgjegjës për nënshkrimin e protokollit të 10 dhjetorit. U arrestua prej Shërbimit sekret francez themeluesi dhe udhëheqësi i Krahinës autonome shqiptare të Korçës, Th. Gërnenji dhe u dërgua në Selanik, ku u nxorr përpara një gjyqi ushtarak dhe u dënua me vdekje, me akuza të sajuara e të pavërtetuara si “agjent” i Fuqive Qëndrore” më 9 nëntor 1917. Si ndodhi arrestimi dhe pushkatimi i tij? Këtë në i sqaron agjenti i Zyrës Sekrete të Shtatmadhorisë së Armatës frënge të Lindjes, togeri korsikan Orsini de Mari, që dëshmon se gjeneral Groseti, i cili pat marrë komandën e Armatës të Lindjes, e thirri dhe i këkoi që t’i siguronte ndonjë letër “komprometuese” të Themistokli Gërmenjit drejtuar oficerëve austriakë, që ishin vendosur në Pogradec. Gjenerali së pari i bëri presion togerit, duke i dëftuar disa dokumente komprometuese të tij, por edhe duke i premtuar se, nëse do të siguronte ndonjë letër të tillë, do të dekorohej me “Kryqin e Legjionit të Nderit”. Pra kemi të bëjmë me një urdhër, porosi, por edhe me një premtim shpërblimi, Një skenar i paramenduar, që e zbatoi pikë për pikë agjenti sekret Orsini. Ky u nis menjëherë për ne Devoll, ku do ta siguronte letrën e kërkuar!?. Pas një lufte të forcave franceze, ku bënte pjesë edhe toger Orsini, kundër forcave austriako-shqiptare në Devoll, që sipas tij përfundoi me fitoren e francezëve, Orsini i gjeti në xhep një togeri rob austiak “një letër të shkruar me dorë nga famëkeqi Themistokli. Çfarë letre! Ishin katër faqe të shkruara dëndur në frëngjisht, në të cilat ishte çdo gjë….”( Reds, Spiunash dhe kundërspiunazh, 1934)
Agjenti dëshmon: “ Në konakun e Korçës gjeta general Grosetin. Porsa më pa, erdhi drejt meje krahëhapur dhe më përqafoi disa herë. Nuk mund ta përshkruaj sesa i lmntur ishte dhe atë mbrëmje më thirri për darkë bashkë me togerat e mi. Mbas ngrënies më hoqi mënjanë dhe më tha me seriozitet: – Nesër në agim do të bëni çdo gjë të nevojshme për të pushkatuar Themistokliun./- Pa e gjykuar më parë?/ – Në luftë respekti i procedurës është gjithmonë fatal. Në luftë spiunët pushkatohen menjeherë./- E pamundur , zoti Gjeneral!/ -Përse e pamundur?/-Sepse Themistokliu këtu në Korçë ka më tepër se një mijë partizanë të armatosur. Veç kësaj, patëm pakujdesinë ta ngarkojmë për formimin e batalionit shqiptar shumë të armatosur dhe natyrisht ai e ka në dispozicion. Një kryengritje e batalionit shqiptar do të na komprometonte në mënyrë të pandreqshme./- Atëherë çfarë mendon se duhet të bëjmë?/- Themistokliu akoma nuk di gjë, por është i shqetësuar. Nuk duhet në asnjë mënyrë të vëmë në dyshim. Dërgojeni në Selanik me mision… që të mos kthehet më. Dhe kështu u bë. Themistokliu, posa arriti në Kullën e Bardhe të Selanikut, u arrestua sipas instruksioneve të dhëna nga general Groseti dhe mbas pak ditësh i pagoi tradhëtitë etij me pushhkatim. Unë mora, siç më ishte premtuar, Urdhërin e Legjionit të Nderit, por Sali Butka, brigant, inatçi dhe i rreptë, i dërgoi gjeneralit një letër të zjarrtë, në të cilën më akuzonte mua se kisha ndëshkuar disa nga njerëzit e tij. Letra e Sali Butkës përfundonte me këto fjalë: Ju i kini dhënë kryqin e legjionit të Nderit dhe unë do t’i jap kryqin e drunjtë!”( të varrit) ( po aty: Spiunazh dhe kundërspiunazh)
Themistokli Gërmeni u dënua me pushkatim me një akuzë të paqenë, duke u mbështetur në letrën e sajuar nga agjenti Orsin. Fakti që, sipas kolonelit Dekuen, Themistokliu nuk fliste dhe as shkruante frëngjisht, rrëzon akuzën e letrës prej katër faqesh gjoja të shkruar me dorën e Themistokliut në frëngjisht. Fakti tjetër që vite më pas, Themistokli Gërmenji mori pafajsinë , pas vdekjes, rrefen që dënimi i tij ishte politik.
Pas pushkatimit të Th. Gërnmenjit, u abrogua më 16 shkurt 1918 edhe protokolli i 10 dhjetorit, që ishte një goditje për forcat atdhetare shqiptare dhe çështjen tonë kombëtare. Qeveria greke kërkoi në Konferencën e Paqes në Paris aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës, me tezën e vjetëruar se shqiptarët e ortodoksë të këtyre zonave e ndienin vetën si grekë, se atje ekzistonin shkollat greke dhe se ushtria greke e i kishte “çliruar” këto krahina gjatë Luftës ballkanike nga sundimi otoman. Në fakt i kishte pushtuar. Po ashtu kërcënuese ishin edhe pretendimet e Italisë për një protektorat Italian mbi Shqipërinë dhe sovranitetin mbi Vlorën. Kulmi i këtyre kërkesave shoviniste arriti me nënshkrimin e traktatit Tittoni –Venizelos më 29 korrik 1919, për ndarjen e Shqipërisë ndërmjet Italisë dhe Greqisë, si edhe për të përkrahur pretendimet e njëri-tjetrit në Konferencën e Paqes. Këto marrëveshje gjetën mbështetje edhe nga Franca.
Qeveria greke po përgatitej të pushtonte ushtarakisht Korçën, sapo ta linin atë francezët.. Justin Godart konstatonte: “25 gusht 1919. Qarkullon lajmi se grekët do të pushtojnë Korçën. 30 gusht 1919. Në tërë vendin mbretëron llahtari. Afro 180-200 familje kanë braktisur Korçën, për të mos u gjendur nën thundrën e grekëve. Të gjorët njerëz që duan vetëm të rrojnë të lirë e në paqe në shtëpitë e tyre” (J Godart, L’Albanie en 1921, Paris).
Megjithatë, forcat patriotike të Korçës u mobilizuan për mbrojtje. Në Korçë u formua një komision patriotësh prej 14 qytetarësh, i cili iu drejtua Sali Butkës me një thirrje, nëpërmjet Baba Ramadanit, kryetar i Komisionit për shpëtimin e Korçës që e emëronte atë si komandant të përgjithshëm të operacioneve luftarake. Plaku i Butkës, u nis drejt Korçës nga Skrapari për në Korçë me 800 luftëtarë të Skraparit, Kolonjës, Dangëllisë, Oparit, forca të cilat u shtuan me luftëtarë nga Korça, duke arritur në 1500 vetë në Gjergjevicë, ku u vendos shtabi i luftëtarëve. Komandanti francez i gjindarmërisë së Korçës, kapiteni Langre, i raportoi kryekomandantit të përgjithshëm në Selanik më 7 shtator 1919 mbi përgatitjet për t’ia dorëzuar Korçën ushtrisë greke, si edhe e informon:
”Sali Butka ka vendosur të ndërhyjë sapo grekët të hyjnë në zonën e asnjanësisë… Influenca e Sali Butkë, që është zot i pakundërshtueshëm i tërë krahinës deri në Shkumbin, shtrihet bile shumë më larg dhe është në gjendje të grumbullojë rreth 30.000 njerëz, duke iu drejtuar popullsisë së jugut deri në Vlorë…Atyre po u shtohen vullnetarët të ardhur kohët e fundit nga Amerika. Më në fund do të arrihej bashkimi midis dy grupeve të mëdha toskë e gegë. Të gjithë njerëzit e Elbasanit do të ndërhyjnë në favor të Korçës.” ( Dok. Franceze. Raport i kapiten Langre, 7 shtator 1919)
Nga Gjergjevica Sali Butka i dërgonte më 12 shtator 1919 komandantit të forcave franceze ultimatumin:
ULTIMATUM
Në emër të popullit shqiptar,
Sali Butka, komandant i trupave vullnetare të Lidhjes së Shqipërisë Lindore.
Zotit kryekomandant të forcave Franceze në kufijtë shqiptarë.
Në Korçë.
“Komandant,
Në padijeni të popullit francez, në padijeninë e komisionit të lartë të Konferencës së Paqes dhe kundra vullnetit tonë, diplomacia juaj, e gënjyer nga fjalët lajkatare të disa diplomatëve grekë, shqiptoi dënimin me vdekje të popullit shqiptar, për t’ia dorëzuar Greqisë qytetin e Korçës dhe rrethet e saj dhe ky veprim arbitrar e kriminal është pranuar me gjakftohtësi nga Franca, mbrojtësa e kombeve të shtypur, mbrojtësja e të dobëtve!..
Të shtyrë deri në ekstrem dhe duke mos mundur të durojmë më të tilla poshtërime, ne e shohim veten të detyruar t’ju paralajmërojmë të na dorëzoni qytetin e Korçës dhe rrethet e saj brenda 48 orëve, që ndjekin nga dorëzimi i këtij ultimatumi…
Kryekomandanti i Trupave Vullnetare të Lidhjes së Shqipërisë Lindore
Sali Butka” ( Dok.franceze dhe P.Katro)
Komandanti francez i Korçës njoftoi kryekomandantin në Selanik, kryekomandanti njoftoi Parisin, Parisi sërish Selanikun dhe Selaniku komandën franceze në Korçë, e cila lajmëroi Sali Butkën në Gjergjevicë, se komanda franceze në Korçë kishte marrë urdhër të mos ua dorëzonte Korçën ushtrive greke. Korça do t’u dorëzohej forcave shqiptare.
Burimi: Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”