Një aktivitet letraro-artistik u mbajt në qendrën më të madhe të Korrektimit në Kosovë – pikërisht në atë të Dubravës.

Aktiviteti kishte për synim solidaritetin me të burgosurit në këtë qendër, duke u rikujtuar atyre dhe shoqërisë se talenti, kreativiteti dhe shpresa për të ardhmen nuk njohin barriera fizike dhe institucionale.

Nismëtarja e këtij aktiviteti, krijuesja Asja Mulgeci, tha në fjalën e saj se kjo nismë e pati zanafillën dy vite më parë në Qendrën Korrektuese të Lipjanit dhe se ky aktivitet nuk do të jetë i fundit i këtij lloji në Kosovë.

Ajo shtoi se mesazhi i përcjellë brenda mureve të Dubravës ishte se jashtë këtyre mureve ka njerëz që i kujtojnë dhe angazhohen në socializimin e të dënuarve në çdo rrethanë.

Mulgeci nënvizoi se qasja e strukturave korrektuese në Kosovë ndaj aktiviteteve të këtij lloji është krejt e ndryshme nga ajo në Shqipëri.

Ajo shtoi se Drejtoria e Burgjeve në Shqipëri, deri më sot, ka shpërfillur kërkesën për një aktivitet të tillë, duke mos kthyer as formalisht përgjigje ndaj kërkesës së paraqitur.

Mirënjohje dhe vlerësim për aktivitetin në fjalë shprehën edhe drejtuesit e Qendrës Korrektuese në Kosovë dhe të Burgut të Dubravës.

Burgu i Dubravës mbart një simbolikë të veçantë në kujtesën e shqiptarëve, pasi në majin e vitit 1999 autoritetet serbe kryen një nga masakrat më barbare në këtë burg, duke vrarë 117 të burgosur shqiptarë.

By Editor