Një ngjarje e pazakontë ka përfshirë volejbollin shqiptar të femrave. Federata Shqiptare e Volejbollit ka pezulluar përkohësisht lojtaren braziliane të Dinamos, Nayara Ferreira, pas kërkesës për t’iu nënshtruar një testi gjinie, pas ankesave të paraqitura nga disa ekipe kundërshtare.

Burime për “Panorama Sport” bëjnë të ditur se pas verifikimeve fillestare, FSHV ka kërkuar analiza të mëtejshme për të sqaruar çdo paqartësi mbi identitetin gjinor të volejbollistes. Klubi kryeqytetas është shprehur i surprizuar nga vendimi, por së bashku me lojtaren ka pranuar të bashkëpunojë me autoritetet për të bërë ekzaminimet e nevojshme.

Sipas të njëjtave burime, testet fillestare te mjeku gjinekolog nuk janë konsideruar të mjaftueshme nga federata, e cila ka kërkuar procedura më të thelluara.

Ferreira, e cila prej verës mban fanellën e Dinamos, ka reaguar e tronditur ndaj situatës, duke e cilësuar vendimin si një akt diskriminues ndaj saj. Ajo është një sportive me përvojë ndërkombëtare, që ka luajtur më parë në kampionatet e Brazilit, Francës, Spanjës, Çekisë, Finlandës, Portugalisë dhe Arabisë Saudite.

Për momentin, Dinamo dhe vetë lojtarja kanë vendosur të mos bëjnë reagim publik derisa të dalin rezultatet zyrtare të testit. Nga ana tjetër, FSHV ende nuk ka dhënë një deklaratë për mediat.

Ndërkohë, për shkak të pezullimit, Dinamo është detyruar të luajë pa një nga pikat e saj më të forta në sfidën e fundit, derbin kundër Tiranës. Situata pritet të qartësohet ditët në vijim, sapo të publikohen rezultatet përfundimtare të analizave.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *