Kreu i ri i SPAK-ut pritet të zgjidhet sot në një garë e cila i ka tejkaluar konturet e saj ligjore duke marrë ngjyrime të hapura politike. Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Juri Kim hodhi akuza të hapura ndaj mazhorancës në pushtet duke deklaruar se ka përpjekje për ndikim në garën për drejtuesin e ri të SPAK-ut. Kryeministri, Edi Rama u përgjigj se drejtuesi i ri i institucionit të akuzës nuk mund të zgjidhet as nga ambasadat e as nga opozita, por vetëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Pikërisht ky Këshill i përbërë nga 11 anëtarë do të dëgjojë sot platfortmat e tre kandidatëve në garë për të vendosur më pas me votë drejtuesin e ri të strukturës më të rëndësishme antikorrupsion në vend.
Altin Dumani, Edvin Kondili dhe Adnan Xholi janë tre kandidatët që do të paraqesin platformat e tyre para KLP-së për të kërkuar votëbesimin për mandatin tre vjeçar në krye të SPAK-ut. Ashtu si në zgjedhjet e para tre viteve, Altin Dumani duket të jetë sërish i preferuari i SHBA-ve për drejtimin e SPaK-ut, por gara pritet të jetë e fortë pasi njëri nga dy prokurorët e tjerë në garë mendohet të jetë i preferuari i qeverisë për drejtimin e këtij institucioni.
KLP-ja ka 11 anëtarë, 6 prej të cilëve vijnë nga radhët e sistemit të drejtësisë, ndërsa 5 të tjerë janë zgjedhur nga parlamenti.