Milani i këtij sezoni ka shfaqur shpesh luhatje në formën e tij duke mos qenë i njëjti ekip i sezonit të kaluar kur fitoi titullin kampion dhe zhvilloi një sezon për t’u mbajtur mend.
Befasia e madhe e këtij sezoni mbetet Napoli i arratisur në krye të renditjes me tetë pikë avantazh ndaj Milanit të vendit të dytë, por kuqezinjtë nuk duken të jenë dorëzuar në synimin për t’u rikonfirmuar si kampionë të Italisë.
Më optimsti duket tekniku, Stefano Pioli i cili beson se të besuarit e tij mund të arrijnë Napolin e shkëputur në krye. Pioli kujton sezonin e kaluar ku të pakët ishin ata që besonin se Milani mund të fitonte titullin, por në fund ata ia dolën duke bindur edhe më skeptikët.
“Milani duhet të besojë te përmbysja, Napoli mund të kapet. Duhet të besojmë ashtu siç bëmë një vit më pare. Sezonin e kaluar fillimi i titulli dukej i pamundur.” -u shpreh Pioli.
Seria A rinis në 4 janar dhe Milani do të përballet me Salernitanën. Organika e skuadrës paraqet probleme, pasi Ibrahimoviç nuk është rikuperuar nga dëmtimi që e mban larg fushave që nga muaji maj, ndërsa portieri Menjo ende nuk është plotësisht i gatshëm për t’u rikthyer. Problematike paraqitet dhe gjendja e Origit pasi sulmuesi vijon të ketë probleme muskulare, ndërsa Zhiru i rikthyer nga botërori mund të mos jetë në rendimentin e duhur duke parë dhe problemet e tij fizike në dy ndeshjet e fundit ndaj Marokut dhe Argjentinës. Barrën e sulmit pritet ta mbajë Leao, ndërsa pritshmëritë për talentin belg, De Katelere vijojnë ende të jenë të larta në pritje të shpërthimit të tij në këtë fazë të dytë të sezonit.