Vedat Muriqi vazhdon të shkëlqejë në elitën e futbollit spanjoll. Pas golit të bujshëm kundër Realit të Madridit në “Bernabeu”, sulmuesi i Kosovës nuk u ndal as përballë Atletikos së Madridit.
Në minutat e fundit të sfidës, Muriqi realizoi golin e barazimit për Majorkën, duke i prishur festën skuadrës së Diego Simeones. Ky ishte goli i katërt për të në këtë sezon, konfirmim i formës së lartë dhe rëndësisë që ai ka për skuadrën.
Me këtë realizim, “pirati i Prizrenit” e çon në 39 numrin e golave të tij me fanellën e Majorkës, duke u renditur si golashënuesi i katërt më i mirë në historinë e klubit. Në krye të listës mbetet legjenda kamerunase Samuel Eto, me plot 70 gola.
Kontrata e Vedat Muriqit me Majorkën zgjat deri në vitin 2029, çka e bën sulmuesin dardan një figurë kyçe për projektin afatgjatë të klubit spanjoll.