Pal Trashaj ndërroi jetë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” pasi mori fotoksinë para godinës së Prokurorisë së Posaçme. Pal Trashaj njihet si historian në qytetin e Lezhës, ndërkohë që ka drejtuar dhe Partinë Demokratike në këtë qytet në vitet 2007-2009.
Trashaj kishte denoncuar në SPAK informacione lidhur me aferën e mikrokredive duke paralajmëruar se do të vetëflijohej pasi kishte rënë dhe ai viktimë e kësaj skeme mashtrimi.
“Kam kallëzuar zyrtarë të lartë, ish-ministra e deputetë dhe këta të SPAK ma kthyen, nuk pranojnë këta të hetojnë. Kërkoj takim me Altin Dumanin, nuk më presin. Kam dokumenta që do t’ua lë mjekëve para se të vdes”- tha Trashaj.
Prokuroria e Posaçme reagoi për rastin duke njoftuar se Trashaj ishte paraqitur para oficerit të informacionit ndërsa ky i fundit e kishte përcjellë kërkesën e tij pranë një hetuesi të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas njoftimit, Trashaj nuk ishte rikthyer për të marrë përgjigjen.
“Në lidhje me incidentin e sotëm të qytetarit Pal Trashaj të ndodhur jashtë Prokurorisë së Posaçme, institucioni ynë i uron z. Trashaj shërim të shpejtë! Sqarojmë se qytetari në fjalë është paraqitur tek oficeri i informacionit dhe ka kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022.
Më pas oficeri i informacionit ka bërë me dije qytetarin të presë sa të njoftojë hetuesin e çështjes mbi kërkesën e tij. Ndërkohë që oficeri i informacionit ka marrë kontakt me hetuesin e çështjes, qytetari ka dalë jashtë në oborr, duke mos ardhur për të marrë përgjigje. Pas disa orësh, jashtë ambienteve të SPAK, janë parë shërbimet spitalore të urgjencës dhe aty është mësuar rreth veprimit të ndërmarrë nga z. Trashaj. Institucioni ynë ka bërë menjëherë verifikimet rreth këtij incidenti për të sqaruar çdo veprim të punonjësve të tij.Prokuroria e Posaçme, garanton se do t’i përgjigjet në kohë çdo qytetari me korrektësi dhe në zbatim të ligjit për çështje që janë në kompetencën e saj” – thuhej në njoftimin e SPAK-ut.