(Gazeta «Koha Ditore», 19 gusht 2007)

“[Shkëzen GASHI:] Pra, problemi kyç për një shqipe vërtet të njësuar qenka paskajorja?

[Agim MORINA:] Po, nji Shqipe të Përbashkët, nuk ka kuptim pa paskajoren e mirëfilltë sepse asht nji prej veçorive ma të randësishme të çdo gjuhe që asht e pajisun me paskajore. Mirëpo, po u fut nji paskajore e këtillë atëherë doemos duhet m’u ndërru edhe pjesorja sepse paskajorja ndërtohet me pjesëzën me + pjesore. Unë, qysh muni me e pa edhe këtu, përdor pjesoren e rrudhun të tipit ‘punu’ për me mujtë me gjetë nji trajtë neutrale përballë të dyja kryedialekteve të cilat e kanë: punue (g.) Dhe punuar (T.). Kjo asht nji prej parimeve të mundshme për me gjetë zgjidhje për Shqipen e Përbashkët. Por le t’i shqyrtojmë foljet tue e dijtë se këtu qëndron nji prej problemeve kryesore. 

Zgjedhimi me pjesoren e tipit ‘punu’ përfshin rreth 57 % të foljeve në gjuhën shqipe, prandaj asht shumë me randësi që të gjendet nji zgjidhje sa ma e pranushme për këtë klasë. Nji qasje e ngjashme do të duhej m’u zbatu edhe në vargun e klasave foljore të cilat mbarojnë me temë në zanore shkru, (shkruar (t.) / shkrue (g.), gënjy (gënjye/gënjyer), la (g.) / larë (t.)) (këto përbajnë rreth 6 % nga numri i  përgjithshëm i foljeve). Me zgjedhimet e klasave tjera të foljeve, tema e të cilave mbaron me bashkëtingëllore, situata asht ma e lehtë sepse aty do të duhej të merrej për bazë trajta me mbresën -ë. Nji trajtë e këtillë për nji grup foljesh tashma egziston edhe simbas toskënishtes standarde në ato folje që mbarojnë me -ll dhe -rr (mbjellë, marrë). Pra, këtu vetëm do të duhej m’u zgjanu zbatimi i mbaresave të kësaj klase e me ba ‘hapë’ në vend të ‘hapur’ (kjo klasë përban 33 % të foljeve të shqipes dhe bashkë me klasën e tipit punu përbajnë rreth 90 % të foljeve të mbarë shqipes). Kështu edhe me foljet e klasave ‘mbledhë’, ‘shitë’, ‘zbritë’, ‘mbajtë’ në vend të ‘hapur’, ‘mbledhur’, ‘shitur’, ‘zbritur’, ‘mbajtur’ që përbajnë rreth 3 % të foljeve të shqipes. Pjesoret e shqipes, në këtë mënyrë, kishin me qenë ma të thjeshta, ma të përbashkëta dhe ma të afërta me shumicën e të folmeve shqipe.

Asht interesante që Komisija Letrare Shqipe (1916-18) mbasi mori vendim që elbasanishtja me qenë bazë e nji gjuhe standarde shqipe hoqi dorë nga trajta egzistuse e pjesores së elbasanishtes – d.m.th. nga trajta ‘punu’ – dhe pranoi trajtën ma letrare ‘punue’. Mendoj se ky ka qenë nji gabim shumë i pafat për të ardhmen e shqipes. Nëse do të merrej trajta ‘punu’ për bazë, sot na nuk kishim m’e pasë problemin ma të madh për të cilin po debatojmë me dhjeta vjet. (Asht i habitshëm fakti që studiuesja skoceze M. Hasluck-u, e cila ka jetu rreth tetë vjet në Shqipni e kryesisht në Elbasan, ka shkru nji gramatikë të vogël dhe e ka botu me 1932 tue marrë për bazë trajtën ‘punu’ të pjesores së këtyne foljeve.) Kjo dukuni e rrudhjes së pjesores asht, natyrisht, zhvillim i mbrendshëm i gegënishtes por ofron mundësi të jashtëzakonshme për përafrimin e kryedialekteve. 

Sot kjo trajtë dëgjohet edhe te shumica e gegënishtfolësve në Tiranë, në Shkodër, në Prishtinë, në Shkup, në Tetovë, në Durrës, në Ulqin, në Preshevë etj. Pra, gjithnji sipas meje, nji pjesore neutrale as ‘punuar’ as ‘punue’ por ‘punu’ asht zgjidhja ma e mirë për nji Shqipe të Përbashkët. Nji fakt tjetër asht se toskët që jetojnë në mjedise gegënishtfolëse, fjala vjen në Tiranë, gjithashtu e gjejnë ma të lehtë përdorimin e kësaj trajte kur dojnë me folë ‘tironçe’ e me përdorë paskajoren e tyne qëllimore ‘për të punuar’ tue e kthy në ‘për të punu’, sesa trajtën ‘për të punue’. Trajta ‘punu’ nga toskët mun m’u përjetu si rrudhje e trajtës ‘punuar’ ndërsa për gegët si rrudhje e trajtës ‘punue’. Megjithëse në gjuhë nuk asht mirë me ba parashikime ka mundësi që në të ardhmen vetë pjesorja e toskërishtes të rrudhet nga ‘punuar’ në ‘punua’ dhe në fund të mbarojë në ‘punu’.

Pjesë nga intervista Agim MORINA, “Një shqipe e përbashkët nuk ka kuptim pa paskajoren”, intervistë botu me 19 gusht 2007, në gazetën “Koha Ditore”, fq. 12,  e masandej e ribotueme në librin e Shkëlzen Gashit “Gjuha e këputun e shqipes”, fq. 17-18, Rrokullia, Prishtinë, 2010.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *