Nga Terence Blacker
Tashmë janë bërë 20 vjet që kur revista e Nju Jorkut “The Village Voice” shkatërroi autoritetin letrar të romancierit Jerzy Kosinski. Ngjarjet e tmerrshme të përshkruara në librin e tij të famshëm “Zogu i pikturuar” nuk ishin mbështetur asfare në përvojat e autorit gjatë kohës së luftës në Poloni, sipas revistës, por ishin shpikur. Për më tepër, të gjitha veprat e mëvonshme të Kosinskit, duke përfshirë “Hapat”, që fituan Çmimin Kombëtar të Librit, ishin shkruar jo pak me ndihmën e shkrimtarëve të ndryshëm anonimë dhe të paguar. “Të jesh atje”, romani i cili u përshtat në një film fitues të Oskarit, u mbështet në një subjekt të vjedhur nga një roman tjetër polak. Ai nuk ishte edhe aq shkrimtar, u argumentua, se sa një hajdut fjalësh, një mashtrues letrar. Kosinski shkroi edhe një libër tjetër, por ishte pothuajse i mbaruar si romancier dhe, siç doli, edhe si njeri. Bëri vetëvrasje në vitin 1991.
Sa herë që plagjiatura bëhet lajm, siç ka ndodhur kohët e fundit, më kujtohet Kosinski, librat e të cilit i kam botuar dhe që më kanë pëlqyer. Rreshti më i fundit ka ngjashmëri të paqarta me historinë e tij në atë që ka të bëjë gjithashtu me një roman autobiografik të Hannah Crafts -it. I shkruar në shekullin e 19-të, dorëshkrimi u zbulua nga akademiku i shquar i Harvardit, Henry Louis Gates, i cili mëtoi se, megjithëse identiteti i shkrimtarit nuk ishte përcaktuar, romani i saj ishte i pari i shkruar nga një skllave zezake.
Të drejtat e botimit u shitën, një pjesë e botuar në The New Yorker. Në atë pikë, një lexues i mirëinformuar vuri re se disa fragmente ishin marrë me shumicë nga “Shtëpia e zymtë”. Hetimi i mëtejshëm zbuloi se Dickens -i nuk ishte autori i vetëm i përfaqësuar në roman – 13 shkrimtarë të tjerë, duke përfshirë Walter Scott, Charlotte Brontë dhe Harriet Beecher Stowe, ishin aty, siç ishin citate të gjera, burimi i të cilave nuk jepej të marra nga botimet e mesit të shekullit të 19-të të revistës “Shkencëtari amerikan”. Megjithatë, në mënyrë interesante dhe të çuditshme, Gates nuk shqetësohej për këto. Duke përdorur një lexim të modës postmoderne të romanit, ai mbrojti integritetin e autores së tij duke shpjeguar se ajo kishte “kërkuar të vendoste një lidhje me një traditë kanonike”. Ajo nuk kishte bërë plagjiaturë, por thjesht “kishte zbrazuar një formular retorik dhe e kishte mbushur me të dhëna të veta”.
Koha e ka ndryshuar ndjeshëm qëndrimin tonë ndaj çështjeve të tilla, ose kemi një standard shqetësues të dyfishtë. Një autore e ndërton romanin e saj rreth huazimeve nga klasikët dhe lavdërohet për përpjekjet e saj nga një profesor i Harvardit. Një tjetër mendohet se ka shpikur ndodhi në jetën e tij dhe ka përdorur shkrimtarë të tjerë për ta ndihmuar të shkruaj veprën e tij dhe, pothuajse brenda natës, damkoset si mashtrues në botën letrare.
Sepse akuza për plagjiaturë është më shkatërruesja nga të gjitha akuzat që mund t’i bëhen një shkrimtari. Ti mund të shkruash një libër të keq, ose të bësh diçka të tmerrshme në jetën tënde private, dhe të paktën veprat e tua të së kaluarës janë ende aty. Por kur mendohet se i vetmi kapital i vërtetë që keni – fjalët, fjalitë, idetë – në fakt nuk janë aspak të tuat, por janë vjedhur dhe të dyshimta, të dorës së dytë, atëherë gjithçka bëhet në mënyrë retrospektive e molepsur. Kështu, pas artikullit në The Village Voice, u bë e qartë se karriera e Kosinskit kishte marrë fund.
Ndoshta sot bota letrare do të kishte shfaqur më shumë mirëkuptim. Falë kujtimeve me shumë ngjyra dhe romaneve të autorëve si Frank McCourt dhe Dave Pelzer, kufijtë midis faktit dhe trillimit janë bërë më pak të theksuara. Në një epokë të artë për shkrimtarët e paguar, lajmet për një redaktim të vogël krijues tani mund të duken më pak tronditës. Dhe ideja se asnjë roman serioz nuk mund të ripunojë një subjekt që është përdorur më parë, tani me të drejtë shihet si absurde.
Pika domethënëse rreth Jerzy Kosinski-t ishte se, pavarësisht nëse e ndihmuan apo jo të tjerët, librat e tij – tani, natyrisht, të dalë jashtë shtypit dhe të modës – kishin një vizion dhe një zë në përputhje me njëri-tjetrin dhe me vetë njeriun. Problemi ishte ndoshta se ai ishte një autor i suksesshëm, i botës, i cili merrej me sport, e shihje në mjediset e modës dhe madje edhe si aktor. Ai dukej se kishte një seksualitet aventuresk dhe mjaft të çuditshëm që, për shumë njerëz, e bëri atë edhe më të dyshimtë.
Në përgjithësi, ai ishte një kandidat i përsosur për t’u sulmuar në rrethet letrare. Një shkrimtar që bëhet i pasur dhe ka një jetë private shumë të larmishme ka shumë gjasa të shihet si acarues. Kështu që, kur gjërat marrin për keq, kjo shkakton një lloj gëzimi shumë të veçantë. Bllokimi i shkrimtarit, dështimi financiar, sjelljet e papranueshme midis autorëve ose problemet e martesës priren të raportohen me më shumë dëshirë sesa përparimet e fundit të mëdha në shkencë.
Por plagjiatura është çështja kryesore. Kur gazetarët e bëjnë të besueshme, ata e dinë se shkrimtari ka marrë fund. Me përjashtim të rastit kur autorja ndodh të jetë një skllave që jetoi 150 vjet më parë, në këtë rast ajo nuk ishte duke vjedhur, por thjesht duke kërkuar të vendoste një lidhje me një traditë kanonike.
Përktheu: Granit Zela