Një ditë pas plagosjes së dyfishtë me armë zjarri në qytetin e Kukësit, dy vëllezërit e akuzuar si autorë të ngjarjes janë vetëdorëzuar këtë të hënë në Polici. Ata ishin shpallur më herët në kërkim pas incidentit të rëndë.
Policia bën me dije se vetëdorëzimi i tyre ka ardhur si pasojë e kontrolleve të shumta të ushtruara në zonë dhe pamundësisë për t’u larguar.
“Si rezultat i kontrolleve të Policisë dhe nga pamundësia për t’u larguar, 2 vëllezërit e shpallur në kërkim për këtë ngjarje janë vetëdorëzuar. Në vijim të veprimeve procedurale, pas komunikimit me prokurorin e gatshëm, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasi N. I., 38 vjeç, ndërsa materialet u referuan në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për vëllanë e tij, shtetasin F. I., 39 vjeç, banues në Kodër Lumë,” njofton Policia.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të plagosjes së dyfishtë vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

