Nga Arbër Zaimi
Dragan Šormazi, deputet i tetë mandateve në Serbi dhe ish-bashkëpunëtori i afërt i Vuçiqit që u largua nga Partia Progresive Serbe në shtatorin e vitit të shkuar, ka nxjerrë një shkrim dje në gazetën serbe “Danas”.
Aty Šormazi jep perspektivën e tij për sulmin terrorist në Banjska.
Sipas tij Vuçiqi e organizoi sulmin në Banjskë me qëllim që të arrinte një eskalim taktik pas barrikadave dhe protestave “qytetare” të organizuara po prej tij. Sulmi planifikohej të çohej përpara nga mbi 200 vetë të armatosur e të përgatitur mirë, nën komandën e Milan Radoiçiqit. Këta kishin detyrën që të zëvendësonin barrikadat civile me postblloqe paraushtarake dhe me territore të minuara. Meqenëse KFOR-i në vazhdim deklaronte se ata ishin vetëm reagim i tretë dhe reagimin e parë duhet ta bënte policia e Kosovës, kjo pritej të shkaktonte konflikt që do të paraqitej si kryengritje e serbëve të Kosovës, identike sipas formulës së përdorur nga Putini për rusët e Donbasit, apo në Oseti Jugore, Abkhazi etj.
Kur të shpërthente ky konflikt, shpjegon Šormazi, KFOR-i do të vendosej në mes të palëve si paqeruajtës, në një vijë diku pranë Ibrit – dhe atëherë do të sigurohej ndarja de fakto e territorit.
Pyetja që bren Šormazin është, kush ia mbushi mendjen Vuçiqit që ky plan po të kishte sukses do të prodhonte rezultate të pranueshme, pra që SHBA do ta pranonte ndarjen e Kosovës? Sepse po të mos mendonte kësisoj Vuçiqi nuk do ta niste fare atë aksion. Šormazi mendon se cilido që e ka bërë Vuçiqin të besojë se ndarja e Kosovës do të ishte e pranueshme, e ka futur atë në kurth.
Plani ra pastaj në ujë, dhe Šormazi thotë se shkak për dështim u bë prezenca e policisë së Kosovës në veri, gjë që u mundësua edhe nga budallallëku i Vuçiqit i cili urdhëroi policët serbë të Kosovës të japin dorëheqje. Dorëheqja e tyre solli zëvendësimin me shqiptarë, prandaj terroristët hasën në Afrim Bunjakun dhe në policët e tjerë që me sukses dhe profesionalizëm e mbrojtën Kosovën dhe mposhtën terroristët.
Vuçiqi kishte planifikuar që sot ta mbronte Radoiçiqin si hero, por tash po e mbron si terrorist, dhe kjo ia ka ulur reputacionin. I mposhtur dhe i futur në borxh te perëndimorët, pas dështimit në Banjskë ai është detyruar të “lëshojë pe”, duke i shitur armë Ukrainës, duke blerë aeroplanë francezë dy herë më shtrenjt nga ç’i bleu të njëjtët Kroacia, por edhe duke marrë qëndrim gjithnjë e më kokëulur ndaj Kosovës.