Nga Lutfi Dervishi
Misteri që shoqëronte vizitën e dytë brenda një muaji të Kryeministrit Edi Rama në Itali, më në fund u shua. S’ka më vend për konspiracione, hamendësime apo trillime sentimentaliste. Delegacioni shqiptar në përbërje të të cilit ishin dhe ministri i Jashtëm, i Brendshëm dhe ai i Mbrotjes, kthehen në Tiranë me një sihariq të madh për publikun italian: Në plazhin e Shëngjinit do të trajtohen emigrantët e paligjshëm që kërkojnë të shkojnë në Itali.
Emigracioni i paligjshëm – kjo dhimbje koke për qeveritë perëndimore do të ketë tani përballë hiç më pak se qeverinë shqiptare që përballet me fenomenin e kundërt: Largimin e shqiptarëve nga vendi.
Ndërkohë që populli shqiptar priste nga kjo vizitë mister në Romë – mbajtjen e një premtimi (që ndodhej në hapat e fundit) për pensionet, tani duhet të jetë i kënaqur që Shqipëria po merr përgjegjësi si të ishte vend anëtar i BE-së.
Sikur të mos mjaftojnë refugjatët afganë, që ende jane në Shëngjin e që siç thonë një pjesë e tyre mezi presin të ikin, sikur të mos mjaftonin muxhahedinët në Mzez që gjithashtu po kërkojnë të ikin, tani duhet të merremi me flukset migratore afrikane apo aziatike që shkojnë drejt Italisë.
Por jo vetëm kaq pasi flukset mund të arrijnë deri më 36 mijë persona në një muaj!
Dhe ky sihariq i madh paraqitet sikur po i bëhet një nder i veçantë Shqipërisë.
Në kushte normale dhe duke parë kush përfiton dhe kush mban barrën, kryeministrja italiane duhet të vinte në Tiranë dhe të nënshkruante, pasi kryeministri shqiptar të kishte njoftuar Parlamentin ose publikun për vendimin për t’u përballur me flukset migratore.
Shqipëria i ka shumë borxhe Italisë, sidomos pas viteve ‘90, ashtu sikurse i ka edhe Roma-Tiranës, por kjo nuk do të thotë që të shtrish jorganin përtej këmbëve të tua që zbathur kanë qenë e zbathur kanë mbetur.
Përderisa deri tani nuk ka asnjë studim apo analizë publike, na lind dyshimi të mendojmë se askush nuk garanton që me ngujimin e refugjatëve në Shëngjin nuk do të kemi rikthim të skafeve apo rritje të kriminalitetit në zonë.
Arroganca dhe personalizimi i qeverisjes deri më tani shfaqej në Parlament, ndërsa që sot në vendime që kanë pasoja për vendin.
Dhe për çudi lajmi i parë vijon të mbetet: Kalimi i kangjellave në godinën e Parlamentit nga deputetët e opozitës dhe jo trajtimi i emigrantëve të paligjshëm të vendeve të treta në Shëngjin.
Ja pra që Meloni (pjepri) e ka bishtin prapa!