Nga Arbër Zaimi
Opozita djathtiste e Vuçiqit del në protesta në Beograd, mbështet haptazi Rusinë, sulmon Amerikën dhe Evropën, kërkon ndalim të dialogut dhe hyrje me ushtri në Kosovë.
Budallenj ?
Përkundrazi !!!
Ata e bëjnë Vuçiqin që në sytë e diplomatëve, të duket si më i moderuari mes serbëve. Më i moderuari është edhe i preferuari, dikush që për të mos e humbur, i bëhen shërbime e i jepen favore.
Opozita djathtiste në Kosovë përkundrazi, vazhdimisht vrapon të paraqitet tek ndërkombëtarët si më e moderuar në krahasim me Kurtin. Japin vazhdimisht sinjale se mund të pranojnë shumëçka që Kurti s’e pranon.
Të mençur ?
Përkundrazi !!!
Ata synojnë ta bëjnë Kurtin të duket si shqiptari më radikal, si opsion i kushtueshëm në sytë e ndërkombëtarëve, teksa veten e paraqesin si më të moderuar. Harrojnë se interesi i përbashkët i Kosovës, apo i shqiptarëve, është që atje të lëshohet sa më pak pe. Por nëse krijohet te diplomatët ndërkombëtarë përshtypja se atje paskemi çuar njeriun më radikal dhe kemi plot të tjerë të cilët janë të gatshëm shumë lehtë të lëshojnë pe në shpinë të Kosovës, atëherë kostoja do të jetë e lartë jo për Kurtin por për Kosovën, e fitimi i lartë për palën kundërshtare.
Kur Vetëvendosja ishte në opozitë, ajo e ndihmonte qeverinë e asaj kohe për ta rritur stekën në tryeza ndërkombëtare, pikërisht duke u paraqitur më radikale. Vazhdimisht Vetëvendosja i ndihmonte negociatorët e qeverisë së Kosovës duke ua dhënë atyre mundësinë që t’u thoshin ndërkombëtarëve: pranoni kërkesat tona, se opozita është edhe më kërkuese se ne…
Por me kënd me folë…