Nga Hysamedin Feraj
Do të kisha mbështetur ndryshimin e propozuar të kushtetutës, atë lidhur me bullgarët.
Madje do të kisha kërkuar ndryshime edhe më të thellë, ata që përfshijnë shqiptarët dhe gjuhën time në përkufizimin e shtetit.
Do të kisha kuptuar se qeveritarët sllavë maqedonas kuptojnë vetëm forcën, por jo logjikën dhe të drejtën.
Do të kisha kuptuar këtë sepse vetëm saje forcës së Greqisë ndryshuan emrin e Republikës, dhe vetëm saje forcës së Bullgarisë po i përfshijnë bullgarët në kushtetutën e tyre.
Do të kërkoja nëse unë e kam atë forcë, dhe ku e në çka qëndron ajo.
Do të kuptoja se forca e Greqisë dhe Bullgarisë qëndronte në mundësinë e ndalimit të anëtarësimit të RMV në BE.
Nëse edhe unë do ta kisha këtë fuqi, dhe e kam po të kem vullnet, do ta kisha ushtruar. Por ama vullneti duhet.
Nëse bashkëkombësit e mi e kanë po atë fuqi që kanë Bullgaria dhe Greqia, domethënë kushtëzimin dhe shtyrjen e anëtarësimit të MV në BE për hir të të drejtave të veta, janë të legjitimuar ta përdorin atë po aq sa janë të legjitimuara Greqia e Bullgaria. Ushtrimi i kësaj fuqie është në përputhje me sjelljen dhe parimet e vetë BE-së, siç e tregon sjellja e dy anëtarëve të saj, dhe miratimi i qëndrimeve të tyre nga BE (duke e kthyer atë në qëndrim të BE-së).
Do ta kuptoja se anëtarësimi RMV në BE është edhe anëtarësim i imi. Por do të kuptoja se gjithashtu nuk ndodhem para zgjedhjes (alternativës): ose të anëtarësohem shpjet pa të drejta, ose të anëtarësohem më vonë me të drejta.
Do të kuptoja se shpejtësia dhe ngadalësia anëtarësimit të RMV në BE nuk janë të kushtëzuara vetëm nga unë. Në radhë të parë janë të kushtëzuara nga maqedonasit sllavë me kushtin që kanë vënë për mospranimin e shqiptarëve të barabartë me ta. Ndaj mjafton të hiqet kushtëzimi i tyre, mjafton të përfshihet edhe njehsimi dhe ngritja kushtetuese e statusit të kombit tim, dhe anëtarësimi nuk vonohet (së paku jo nga unë, domethënë kombi im). Nëse qeveria dëshiron ta vonojë sepse nuk pranon të drejtat e mia, është puna dhe përgjegjësia e saj. Por drejtësia në përgjithësi, dhe drejtësia ime si rast i saj, asnjëherë nuk është përgjegjëse, edhe pse është e përgjigjshme.
Përndryshe, fitimet nga anëtarësimi i shpejtë në BE do të më tregon çmimin me të cilin kam shitur lirinë dhe të drejtat e mia, veten time: pranimin nga vetë unë se gjendem poshtë dinjitetit njerëzor. Për rrjedhojë, e legjitimoj sjelljen e tjetrit ndaj meje si ndaj gjërave dhe qenieve jo njerëzore. Në këtë rast, drejtësia do të ishte e papërgjigjshme (nuk do t’i përgjigjej thirrjes që i vjen nga thelbit i njerëzores), ndërsa unë do të isha njerëzisht i papërgjegjshëm.
Do të kisha kuptuar se kam kthyer veten në mall, dhe se malli i shitur nuk mund të rimerret më me të drejtë nga unë si shitësi i parë. Mund të rimerret vetëm nëse blerësi pajtohet të ma rishesë, zakonisht me çmim më të lartë dhe me gjasë të paguar nga fëmijët e mi. Kjo për shkak të papërgjegjësisë time të sotme si “prind”.
Do të kisha kuptuar se vonimi i anëtarësimit në BE do të më kushtonte diçka mua dhe bashkëqytetarëve të mi të të gjitha etnive. Por gjithashtu se do të ishte më i vërtetë dhe më fitimprurës për mua, për Republikën (bashkëqytetarët e etnive të tjera) dhe për BE-në. Unë do të fitoja barazinë e kolektivitetit tim mes të tjerëve, Republika do të ishte më e vërtetë me veten (realitetin e saj etnik), BE do të kursehej nga futja brenda vetes të konfliktit (urrejtjes) etnik të qeverisë së MV ndaj shqiptarëve. Të gjitha palët vetëm fitojnë, pa humbës.
Dhe zgjedhja më e mirë dhe më ekonomike në lojën politike është ajo e modelit fitues-fitues (win-win). Pa humbës. Unë (kombi im) fitoj të drejtat, republika anëtarësimin, BE-ja stabilitetin dhe zgjerimin (nëse e do këtë të fundit).
Do të kuptoja se nga zgjerimi i të drejtave askush nuk humbë, sepse e drejta si vlerë nuk është partikular prej të cilit sa më shumë marrin aq më të vogla bëhen copat e secilit, por është një universal që sa më shumë instantohet (shembëllzohet) në këtë botë aq më shumë zmadhohet prania e saj, deri sa t’i kaplojë të gjithë. Një botë ku të gjithë gëzojnë të drejta sigurisht është më e mira.