Tubimi i mbështetësve të Erion Veliajt ishte i pari ku për disa orë nuk u pa asnjë kordon sigurie në hyrje të ndërtesës.

Prokuroria e Posaçme kërkoi sqarime për këtë rast të paprecedent nga Policia e Shtetit, ndërsa reagimi erdhi nga Drejtoria Vendore e Tiranës.

Në përgjigje thuhet se policia nuk u njoftua nga Garda e Republikës, e cila ka përgjegjësinë e ruajtjes së godinës.

Sipas policisë, situata u ndoq vetëm me anë të mediave dhe nuk pati komunikim mes institucioneve.

Në reagim theksohet edhe natyra e tubimit para SPAK-ut si tubim i qetë.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë

Lidhur me shkresën e përcjellë dhe të bërë publike nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për situatën e datës 12.02.2025 rreth godinës së Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës bën me dije se:

Së pari, kjo është një praktikë që nuk ka ndodhur më parë, që organet ligjzbatuese komunikojnë përmes mediave, ndërkohë që kanalet institucionale të komunikimit kanë qenë jo vetëm mëse të mjaftueshme, por edhe plotësisht efikase. Për natyrën dhe qëllimet e punës sonë të përbashkët, është domosdoshmëri komunikimi institucional.

Së dyti, objekti ku ushtron veprimtarinë Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ruhet dhe mbrohet nga Garda e Republikës së Shqipërisë, sipas parashikimeve të Ligjit nr. 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, neni 12, pika 2, germa “d”, si dhe VKM nr. 507, datë 27.07.2022, “Për një shtesë në VKM nr. 597, datë 13.10.2021, “Për përcaktimin e personaliteteve dhe objekteve të tjera që ruhen dhe mbrohen nga Garda e Republikës së Shqipërisë”, pika 1.

Konkretisht, sqarojmë se në datë 11.02.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me shkresë nr. 14 drejtuar DVP Tiranë, kërkoi shoqërimin në datë 12.02.2025 të shtetasve E. V dhe E. A., nga ambientet e Bllokut të Sigurisë Tiranë për në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pasi do të zhvillohej seanca gjyqësore për verifikimin e kushteve në zbatim të masës së sigurisë.

Bazuar në kërkesën e Gjykatës së Posaçme, strukturat përgjegjëse të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në mbështetje dhe zbatim të Procedurës Standarde të Punës “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre”, miratuar me Urdhër nr. 1720, datë 20.11.2023, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, dhe Procedurës Standarde të Punës “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ‘Bllokun e Dhomave të Sigurisë’ të DVP Tiranë, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre”, miratuar me Urdhër nr. 502 datë 09.05.2022, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, hartuan urdhrin e shërbimit datë 12.02.2025 për shoqërimin e të ndaluarve/arrestuarve, duke marrë masat dhe planëzuar shërbimet policore të nevojshme.

Shoqërimi dhe mbërritja në ambientet e Gjykatës së Posaçme është regjistruar në Sallën e Menaxhimit dhe Drejtimit pa asnjë problem.

Theksojmë se Policia e Shtetit nuk ka pasur asnjë njoftim nga individë apo subjekte, si dhe nuk ka grumbulluar informacione apo të dhëna për grumbullime të mundshme pranë godinës së SPAK-ut. Në këto kushte, nuk është hartuar plan masash, por nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është vlerësuar situata dhe janë marrë masa duke reaguar në kohë, me angazhimin e një numri të konsiderueshëm punonjësish.

Në orën 08:25, pranë kryqëzimit të rrugëve drejt godinës së SPAK dhe gjithë perimetrit të saj, janë shtuar shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, Ndihmës Specialistë të Policimit në Komunitet, Specialistë për Hetimin e Krimeve, Ndihmës Specialistë për Operacionet Speciale, shërbimet e Policisë Rrugore dhe Forcat e Posaçme “Shqiponja”. Në kuadër të angazhimit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, janë angazhuar në total 77 punonjës policie. Gjatë gjithë kohës, këto forca kanë qenë nën drejtimin e Shefit të Komisariatit të Policisë nr. 3, si dhe drejtues të tjerë të strukturave përkatëse, ndërsa Shefi i Sektorit për Sigurimin dhe Shoqërimin ka qenë i dislokuar në ambientet e brendshme të Gjykatës.

Seanca gjyqësore ka filluar e qetë, ka vijuar normalisht dhe ka përfunduar pa asnjë problem. Në adresë të shërbimeve policore, as nga Garda e Republikës brenda ambienteve të Gjykatës së Posaçme, as nga prokurorë, gjyqtarë e avokatë, nuk është prezantuar asnjë shqetësim apo të jetë kërkuar ndihmë për vendosje të rendit dhe sigurisë në ambientet e brendshme apo të jashtme të Gjykatës.

Referuar ligjit për “Tubime” Nr. 8773 datë 23.04.2001, Neni 2, pika 5 përcakton se:

“Tubime” kuptohen grumbullimet, manifestimet, mbledhjet dhe parakalimet me karakter paqësor dhe pa armë, në të cilat një grup personash shprehin kërkesat dhe pikëpamjet e tyre për probleme, për të cilat janë të interesuar dhe përfshin edhe tubimet urgjente.

Kur grupe njerëzish grumbullohen në mënyrë spontane dhe nuk cenojnë rendin publik, veprimtaria e tyre nuk përfshihet në përkufizimin e tubimit.

Siç është konstatuar, qytetarët në datë 12 shkurt janë grumbulluar në mënyrë spontane dhe pa cenuar rendin publik. Për këto arsye, procedura standarde e tubimeve nuk ka gjetur zbatim për vendosjen e kordonit policor, i cili vendoset në vendin e kufizuar për tubim.

Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar një hetim administrativ për të vlerësuar masat e marra dhe për të individualizuar përgjegjësinë e çdo strukture policore të angazhuar në këtë shërbim.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *